Gjyqi për vrasjen, Strasburgu 2 mijë euro gjobë Shqipërisë
TIRANE – Qeveria e Shqipërisë ndëshkohet me 2 mijë euro gjobë nga Gjykata e Strasburgut në procesin gjyqësor “Xheraj kundër Shqipërisë”. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e mori çështjen në shqyrtim pas ankesës së shtetasit shqiptar Arben Xheraj, i cili pretendoi shkelje të nenit 34 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Shqiptari i akuzuar për vrasje, dhe i burgosur në Itali prej vitit 2002, ka pretenduar në Strasburg se rishikimi i vendimit që e kishte shpallur të pafajshëm në gjykatat shqiptare ishte i padrejtë dhe në dëm të tij. Çështja e ka zanafillën në vitin 1995, kur Prokuroria e Durrësit e akuzoi Arben Xherajn për vrasje, bazuar në provat e dhëna nga babai i viktimës së krimit. I ati i viktimës kishte thënë se Xheraj ishte një nga vrasësit e djalit të tij (i vrari para se të vdiste ia kishte pohuar këtë në çastet e fundit të jetës), ndërsa hetimi për tre personat e tjerë u ndërpre. Nga ana tjetër, babai i Arben Xherajt u mor në pyetje dhe i tha policisë se djali i tij edhe pse akuzohej për vrasjen, ishte nisur për në Itali në kohën kur kishte ndodhur krimi. Më 27 nëntor 1996, Gjykata e Apelit e dënoi të akuzuarin me 20 vjet burg. Një vit më vonë në gjykatë u depozitua kërkesa për rishikimin e vendimit, bazuar në autopsinë që tregoi se viktima kishte vdekur menjëherë pa pasur mundësi të fliste me askënd. Disa dëshmitarë pretendonin ndërkohë se kishin udhëtuar drejt Italisë me të akuzuarin Xheraj para se të ndodhte vrasja. Më 14 dhjetor 1998, Gjykata e Durrësit vendosi të rrëzojë dënimin me 20 vjet dhe e shpalli të pafajshëm Arben Xherajn për akuzën e vrasjes. Ky vendim nuk iu bë me dije në kohën e duhur të gjykuarit dhe as familjes së tij. Veç kësaj, Gjykata Evropiane ka gjetur vonesa dhe shkelje të tjera në mënyrën si është trajtuar kjo çështje nga Prokuroria e Durrësit. Më qershor 2001 në Gjykatën e Lartë u anulua vendimi i pafajësisë për Xherajn. Ai u arrestua në vitin 1999 në Itali për trafik droge dhe u dënua me 16 vjet burg, duke vazhduar kryerjen e dënimit. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Strasburgut ka vendosur pak kohë më parë, dënimin e Shqipërisë me 2 mijë euro gjobë për parregullsitë e gjykatave dhe prokurorisë. Shuma e gjobës është konsideruar kompensim për dëmet jo materiale që iu shkaktuan të dyshuarit si pasojë e parregullsive në proces. Gjoba nuk është paguar ende nga shteti shqiptar, pasi vendimi i Gjykatës së Strasburgut shkoi në Qeveri por Këshilli i Ministrave nuk ka dhënë ende miratimin për kryerjen e pagesës. tr.so