E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë emergjence ndaj Skënderbeut

 

Leonard Karaj

Më shumë se gjysma e skuadrës titullare jashtë. Kjo është Tirana që do të përballet edhe sot me Skënderbeun e Korçës në stadiumin “Qemal Stafa”. Traneri Lonçareviç është i detyruar që të luajë me Sinën të sapombërritur në klub i cili ende nuk është në kondicionin e duhur për të luajtur, me Osmanin të dëmtuar, por që do të shtrëngojë dhëmbët dhe do futet në fushë, mbështetja e vetme për sulmuesin Arbër Abilaliaj. Mungon përsëri kapiteni Devi Muka, i dëmtuar por jo vetëm. Në infermieri mbetet ende Gjergji Muzaka, Nevil Dede, të cilët kanë zhvilluar disa seanca stërvitore me bardheblutë gjatë kësaj jave, por ato kanë qenë të tipit thjesht atletik. Që të dy lojtarët vijnë nga dëmtime të gjata dhe do t’u duhet edhe pak kohë para se të luajnë “prej së vërteti” një ndeshje futbolli. Të padisponueshëm do të jenë edhe Enco Malindi e Ditmar Bicaj. Mbrojtësi lezhian dhe sulmuesi tiranas nuk mund të luajnë ende, pasi nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm për t’u futur në fushën e lojës. Nga Bullgaria nuk kanë mbërritur edhe kartonët e dy lojtarëve të cilët edhe për këtë javë do të kënaqen vetëm me stërvitjen te Tirana. Në pankinë do të ulet edhe blerja tjetër e re e Tiranës, Julian Ahmataj i cili nuk ka mundur të bindë menjëherë trajnerin Lonçareviç për një post si titullar në këtë skuadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›