Emigrantja vdes në aksident,përplaset rëndë 5-vjeçari
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Një emigrante humbi jetën, ndërsa i biri, vetëm 5 vjeç, u plagos rëndë në një aksident në superstradën Korçë-Pogradec. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:30 teksa ishin duke udhëtuar me mjetin e tyre nga Korça në thellësi të vendit. Përplasja e mjetit me një bordurë ka qenë fatale, sepse drejtuesja e mjetit ka mbetur e vdekur në vend, ndërsa djali, i cili ndodhej në gjumë në ato momente, është plagosur rëndë dhe po lufton me vdekjen, edhe pse mjekët e kanë nën një terapi intensive. Sipas hetimeve të para është mësuar se drejtuese e mjetit “Fiat” ka qenë emigrantja Enkelejda Shtëmbari, 36 vjeçe, e cila vinte nga Athina dhe kishte udhëtuar gjithë natën për të mbërritur në familjen e saj në Berat. Ajo ishte duke përshkuar rrugën nacionale Korçë-Pogradec, kur në afërsi të fshatit Pirg ndodhi dhe tragjedia për familjen Shtëmbari. Specialistë të qarkullimit pohuan se, në momentin që ka ndodhur përplasja drejtuesen e mjetit mund ta ketë zënë gjumi nga lodhja. Për rrjedhojë, mjeti që duhet të ketë qenë edhe me shpejtësi, ka dalë nga rruga, është përplasur me një bordurë anës saj e mandej mbasi ka bërë një salto ka përfunduar në kanalin anësor. Menjëherë në ndihmë të saj kanë shkuar drejtues të rastësishëm të mjeteve që ishin duke udhëtuar në këtë aks rrugor dhe pak më vonë edhe policia. Enkelejda u gjet pa jetë, ndërsa djali i saj i vogël kishte marrë plagë në kokë e trup, por kishte shenja jete. Menjëherë i vogli është çuar në spital ku i është dhënë ndihmë mjekësore urgjente. Ekspertët që shkuan në vendin e ngjarjes, pas kontrollimit të mjetit konstatuan se nuk ka pasur frenim nga ana e shoferes, fakt ky që dëshmon se ajo ka qenë në gjendje gjumi. Është kjo një provë që i çoi ata në konkluzionin se aksidenti është shkaktuar vetëm nga shpejtësia e madhe dhe përgjumja e drejtueses së makinës.