Devolli: Nuk duhet të diskutojmë Skënderbeun
Është një nga lojtarët më të rëndësishëm të kampionëve në fuqi, por edhe pse ka filluar ta ndjejë veten si i tillë, përsëri Bledar Devolli tregohet modest në prononcimin e tij. Sipas tij Tirana nuk duhet të diskutojë tri pikët ndaj Skënderbeut edhe pse ka shumë mungesa në formacion. “Ndeshja e parë e kampionatit na ka shkundur disi dhe sfida e radhës me Skënderbeun do të shënojë kthesën tonë. Në këtë takim duhet të bëjmë një lojë të mirë. Nëse dalim në lojën tonë, natyrisht që nuk besoj se ka kundërshtar që na del përpara në Shqipëri e jo më Skënderbeu. Sekreti i ekipit ky është: po dolëm në lojën tonë, i mundim të gjithë. Duke marrë këtë trepikësh, vazhdojmë të qetë rrugën e gjatë drejt titullit kampion”, ka pohuar Devolli. Mesfushori gjirokastrite ishte ndër më të mirët në dy ndeshjet me Flamurtarin por mungesat e shumta në organikën e skuadrës së Tiranës bënë që edhe ai të mos arrinte të shprehte si duhet lojën e tij në mesin e fushës.