E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni mohon raportin e britanikes "The Times"

Silvio Berluskoni ka mohuar dje se qeveria e tij ka autorizuar pagesa të fshehta për luftëtarët talebanë, që thuhet se lanë "zbuluar" ushtarët francezë në Afganistan. Bëhet fjalë për një skandal të fundit të botuar në faqet e së përditshmes britanike "The Times". Kryeministri italian tha se ai nuk kishte dijeni në lidhje edhe për sa i përket kryerjes së një veprimi të tillë nga qeveria e mëparshme e Kryeministrit të majtë, Prodi. "The Times" ka mësuar nga burimet e saj, se kur ushtarët francezë mundën që të marrin në kontroll zonën e Sarobit në lindje të Kabulit në vitin 2008, ata nuk ishin të informuar se trupat italiane e kishin mbajtur atë rajon relativisht të qetë përmes pagesave të drejtpërdrejta të talebanëve, në mënyrë që ata të ishin inaktivë. Zyrtarët perëndimorë thonë se duke qenë se francezët nuk dinin gjë në lidhje me një situatë të tillë, ata bënë vlerësime katastrofike të situatës që patën pasoja të rënda për vetë trupat. Kështu, si pasojë e llogaritjeve jo korrekte, brenda një muaji 10 ushtarë francezë humbën jetën në një kurth të ngritur nga talebanët, që tashmë pas ikjes së italianëve ishin aktivizuar. Kjo ishte një nga humbjet më të mëdha të forcave të NATO-s në Afganistan. Publiku francez u tmerrua kur mësoi se ushtarët ishin keqtrajtuar edhe pas vdekjes, pasi fotot e tyre u përhapën në të gjithë vendin. Kryeministri italian, Berluskoni, në një deklaratë të mëngjesit të djeshëm, bëri të ditur se raporti i gazetës "The Times" nuk bazohej në të vërtetën dhe në fakte konkrete. "Qeveria e Berluskonit nuk ka autorizuar asnjëherë ndonjë pagesë për talebanët dhe nuk ka dijeni që një iniciativë e tillë e mundshme të jetë ndërmarrë edhe nga qeveria e mëparshme italiane", thuhet në deklaratë. Berluskoni e mundi Prodin në zgjedhjet e përgjithshme të prillit të vitit të kaluar. Ministri i Mbrojtjes, La Russa, i është bashkuar deklaratës së Kryeministrit, duke shtuar se shkrimi i gazetës britanike është i pasaktë dhe se italianët nuk do ta marrin në konsideratë. Sipas tij, raporti i "The Times" ishte ofendues ndaj të vrarëve dhe humbjeve njerëzore të ushtarëve italianë, të plagosurve dhe përkushtimit të përditshëm të ushtarëve italianë në këtë vend. Ministri ka ripërsëritur keqardhjen e tij për vrasjen e ushtarëve francezë, por ka theksuar se humbja nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë me veprimet e ushtarëve italianë. Shërbimi Sekret Amerikan, përmes përgjimeve telefonike, zbuloi biseda të personave në Shërbimin Sekret Italian me militantë afganë të zonave të caktuara të vendit, kryesisht në krahinën Heart në perëndimin e largët. Në qershor të vitit 2008, disa javë para pusisë së trupave franceze, ambasadori amerikan në Romë i bëri një protestë diplomatike qeverisë së Berluskonit në lidhje me akuzat që kishin të bënin me një taktikë të tillë pagese. Disa oficerë të lartë të NATO-s kanë deklaruar në gazetën britanike, se pagesat e bëra nga agjentët ishin zbuluar që në atë kohë dhe ishin bërë edhe në zonën e Sarobit. "Është një çmenduri që të ushtrosh një taktikë të tillë pagesash e mbi të gjitha të mos njoftosh aleatët për një gjë të tillë", ka deklaruar për gazetën një zyrtar i lartë i NATO-s. Për ministrin italian të Mbrojtjes, sjellja mirëdashëse ndaj italianëve nuk ka pasur të bënte aspak me faktin e bërjes së pagesave, por me vetë sjelljen e ushtarakëve italianë që është shumë e ndryshme krahasuar me kontingjentet e tjera. Më 18 gusht, një muaj pas ikjes së forcave italiane, një patrullë franceze e armatosur jo fort mirë po zhvendosej në malet në veri të Sarobit, rreth 50 kilometra larg Kabulit. Ata nuk kishin arsye të dyshonin në keqdashjen e banorëve të zonës, madje edhe të militantëve. Italianët, të cilët francezët i zëvendësuan në qershor, kishin pasur gjatë qëndrimit të tyre vetëm 1 viktimë dhe për muaj me radhë zyrat e NATO-s në Kabul i kishin lavdëruar italianët për punën e mirë që kishin bërë dhe për paqen e vendosur. Por, befas, rreth 170 militantë u zunë një pusi, i vranë francezët dhe e shndërruan këtë në tragjedinë më të madhe e më të dhimbshme për trupat franceze në këto 25 vitet e fundit. Burimet e gazetës bëjnë fjalë për pagesa disa dhjetëra mijëra dollarëshe të bëra jo nga ushtria, por nga shërbimet sekrete. Arsyeja e këtyre pagesave ishte sigurimi i trupave italiane, pasi në rast se do të vriteshin, do të nisnin trazirat në Itali dhe qeveria do të përballej me probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›