Basti me shokët, 13-vjeçari nga Tirana grabit makinën
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Një 13- vjeçar nga Tirana grabiti dje një benz në Sarandë, dhe më pas u kthye në “heroin” e ditës pasi shpërfilli të gjitha postblloqet e policisë derisa u ndalua në Lushnjë. I mituri me inicialet E.C., ka mundur t’i vjedhë poseduesit çelësat e mjetit dhe më pas të niset drejt Tiranës. Në momentin që është pikasur vjedhja e makinës, policia i është vënë mbrapa derisa lokalizoi vendndodhjen e saj. Blutë sinjalizuan policinë e Gjirokastrës e më pas atë të Tepelenës për ndalimin e mjetit. Por policia mbeti e shtangur kur pa që benzi drejtohej me shpejtësi skëterrë nga një fëmijë. Të alarmuar, blutë vunë disa postblloqe, duke i kërkuar të ndalojë gjatë rrugës, por, 13- vjeçari asnjërës prej tyre nuk ia ka vënë veshin duke u kthyer kështu në heroin e ditës. Pasi ka kaluar edhe Fierin, fëmija është gjendur përpara rrugorëve të Lushnjës të cilët kishin marrë informacion për ngjarjen. Ata tentuan gjithashtu të ndalojnë mjetin, por i mituri vijoi që t’i shpërfillë duke u larguar po me të njëjtën shpejtësi. Kjo i ka detyruar uniformat blu që të qëllojnë në ajër me armë. Vetëm atëherë, fëmija është trembur dhe duke menduar se mund ta qëllonin me të vërtetë është detyruar të ndalojë. Sipas burimeve të policisë, mjeti ka ndaluar gozhdë në vend, duke bërë që rreth 10 makina që vinin me shpejtësi pas tij të përplaseshin me njëra- tjetrën. Për fat të mirë, drejtuesit e makinave kanë qenë të vëmendshëm duke frenuar që në distancë, kështu që përplasjet kanë qenë pa pasoja të rënda. Më pas, policia shoqëroi në ambientet e saj 13- vjeçarin, i cili kishte kryer një aventurë mjaft të rrezikshme për moshën e tij. “Bosat kështu hyjnë në histori. Duhet të më kishit lënë që të shkoja në shtëpi. Atje do të kisha fituar një bast me shokët e mi të cilët gjithmonë më shpërfillin duke më thënë se nuk jam i aftë të bëj asgjë. Makina më duhej”. Kështu mësohet të jetë shprehur i mituri para grupit të hetimit. Madje ai nuk e ka pasur të vështirë të bisedojë me ta si të ishte i rritur. “Fëmija me iniciale E.C., ka grabitur një makinë në qytetin e Sarandës dhe me shpejtësi të madhe është drejtuar për në kryeqytet ku edhe ishte banues. Ai ka shpërfillur postblloqet e policisë derisa u ndalua në Lushnjë, pasi detyroi policinë të qëllonte në ajër me armë”, bëri të ditur policia e Fierit dje pas shoqërimit të të miturit.
Qytetarët: U tremb kur qëlluan në ajër
Qytetarë të shumtë, të cilët ishin dëshmitarë të kësaj ngjarje pasi janë ndodhur në të dyja anët e rrugës ku edhe u ndalua mjeti u shprehën të habitur për aventurën e të miturit. “Ishte aq i vogël dhe ecte në mënyrë të jashtëzakonshme. I shpërfillte të gjithë dhe ecte i përqendruar në timon. I folën policët por ai nuk ndaloi. Duket u tremb kur qëlluan në ajër dhe vetëm atëherë ndaloi. Jam i shokuar se si një fëmijë mund të kryejë një vepër të tillë, u shpreh Fasllie Lutaj, një udhëtare e rastësishme.