Berluskoni pa TV, Galiani raportim me sms
Silvio Berluskoni ka humbur ndeshjen më të bukur të Milanit në këtë fillim sezoni. Gjatë vizitës private te Putin në Shën Peterburg, presidenti kuqezi është munduar më kot që të ndjekë "direkt" në televizor ndeshjen Real Madrid-Milan. Duke mos pasur mundësi të shohë supersfidën e së mërkurës, ai i ka kërkuar administratorit të Milanit, Adriano Galiani, që ta informonte në çdo moment nëpërmjet sms-ve (mesazheve telefonike) për zhvillimet e ndeshjes së luajtur në stadiumin "Santiago Bernabeu". "Ishte një mbrëmje mjaft e lodhshme për mua, që ndodhesha në tribunë përkrah presidentit të Realit, Florentino Perez dhe presidentit të UEFA-s, Mishel Platini", rrëfeu Galiani. Ndoshta për herë të parë në jetë, numri 2 i Milanit nuk arriti të festonte golat e kuqezinjve të Leonardos, që arritën një fitore historike përballë "galaktikëve", pasi duhej të transmetonte të rejat më të fundit te Berluskoni. Në mesazhin e fundit që administratori dërgoi në Shën Petergurg pas golit të tretë të realizuar nga Pato shkruhej: "Jemi duke fituar 3-2, po më shpëton nga emocionet". Në përfundim të sfidës, nuk kishte si të mungonte edhe raportimi i detajuar te presidenti kuqezi dhe festa për këtë rezultat të arritur falë protagonistëve Sedorf, Ronaldinjo dhe Pato. "Presidenti ka qenë në Rusi, nuk kishte mundësi ta ndiqte ndeshjen. Atëherë vendosëm që ta mbaja të informuar në kohë reale me mesazhe nëpërmjet celularit. Ka qenë e lodhshme, por një gjë e bukur", tha në fund Galiani.