Tirana, me Teutën për të harruar Kupën
Kategoria Superiore zbret sërish në fushë me disa prej elitaret, që në javën e tetë të kampionatit, kërkojnë të harrojnë paraqitjet e dobëta në Kupën e Shqipërisë. Nga tri sfidat që do të luhen sot, pa dyshim më interesantja është ajo ku Tirana pret Teutën. Bardheblutë vijnë në këtë takim pas humbjes 3-1 me modestët e Luzit dhe fitorja shihet si rezultati i vetëm për të harruar paraqitjen e dobët të mesjavës. Tri pikët për skuadrën e drejtuar nga dyshja Tafaj-Dede janë të detyrueshme edhe për të mos humbur në terren me kryesueset (Dinamo e vendit të parë është plot 11 pikë larg). Sfida me durrsakët shihet edhe si momenti i kthesës në këtë sezon: kampionët në fuqi nuk fitojnë në kampionat prej mesit të shtatorit (1-0 në fushën e Gramozit) dhe në katër ndeshjet e fundit kanë regjistruar vetëm dy barazime dhe dy humbje. Sot në fushë zbret edhe Vllaznia. Shkodranët luajnë në fushën e Laçit, e pas dy fitoreve radhazi (në kampionat dhe Kupë), pretendojnë pikët e para në trasfertë. Lojtari i momentit te kuqeblutë është talenti 19-vjeçar, Bekim Bala, që gjatë javës së fundit ka realizuar gjashtë gola (2 në kampionat, 3 në Kupë dhe 1 me Kombëtaren U-19). Takimi tjetër i së shtunës do të zhvillohet në Ersekë, ku Gramozi pret Kastriotin. Në aktivitetin më të rëndësishëm në vend, nesër luhen përballjet Skënderbeu-Dinamo dhe Flamurtari-Shkumbini, ndërsa të dielën Apolonia e vendit të tretë luan në Kavajë, me Besën pretendente për titull.
e. k.
e. k.