"Kartonët? Nuk e ndryshoj stilin luftarak të lojës"
Lorik Cana premton se nuk do ta ndryshojë stilin luftarak të lojës që ka paraqitur në këto ndeshje të para në Premierligë, pavarësisht rrezikut e pezullimit njëjavor për shkak kartonësh. Ashtu si e parashikoi edhe trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus, mesfushori shqiptar rezultoi një blerje e goditur në "Stadiumin e Dritës": loja e tij agresive, shumë të përshtatshme për kampionatin anglez, ka bërë që Arsenali të shfaqë sërish interes për 26-vjeçarin. Pas nëntë ndeshjeve të para, Cana është ndëshkuar katër herë me kartonë të verdhë, megjithatë, Brus i ka thënë lojtarit të mos shqetësohet nga pezullimi. Fjalë që janë muzikë për veshët e "shkatërruesit" kuqezi: "Nuk jam lojtari i vetëm me katër kartonë të verdhë, nuk do ta ndryshoj stilin tim të lojës vetëm sepse rrezikoj të pezullohem një javë. Nuk më intereson, ky është një detaj i parëndësishëm". Ndëshkimi në ndeshjen e sotme përballë Birmingem Sitit do të bënte që kapiteni i "maceve të zeza" të mos luajë javën e ardhshme me Uest Hemin. Futbolli i fortë ka bërë që tifozët e Sandërlendit ta duan liderin e ri të ekipit. "Kur jep 100 për qind në fushë, gjithmonë merr mbështetjen e tifozëve. Në krahasim me kampionatet e tjera, në Angli, lidhja me fansat bëhet edhe më e veçantë. Këtu çdo sfidë merr përmasa të jashtëzakonshme, pasi ke shansin të luash kundër yjeve të Mançester Junajtid, Çelsit dhe Liverpulit", përfundoi ai.
e. kodheli
e. kodheli