Interi dhe Morati rrezikojnë skualifikimin
Kristian Vieri ka vendosur t‘i drejtohet drejtësisë sportive për problemet me Interin gjatë aventurës nga viti 1999 deri më 2005-n me zikaltrit. Sulmuesi, i cili vetëm pak orë më parë konfirmoi tërheqjen nga futbolli, i ka hapur "dritën jeshile" avokatit të tij, Danilo Buonxhorno, që t‘i drejtohet Prokurorisë federale të FIGC, pasi u vu në dijeni të padisë penale për të ashtuquajturat "dosje ilegale" të paraqitura në çështjen civile kundër Interit dhe Telekomit italian. Vieri akuzon klubin dhe kompaninë telefonike (ku president ishte Tronketi Provera, njëkohësisht këshilltar administrativ i Interit) se gjatë kohës kur luante me skuadrën është spiunuar dhe i është shkelur privatësia. Tashmë, Interi dhe Morati rrezikojnë një dënim që si masë minimale parashikon gjobën financiare (e cila do të jepet në formë dëmshpërblimi), ndërsa ndëshkimi më i ashpër është pezullimi nga aktivitetet.