Dëmtohet ura e Fierzës, bllokohet lidhja e Tropojës me Tiranën
TROPOJE - Reshjet e shumta dhe erozioni bashkë me amortizimin e tejskajshëm kanë dëmtuar urën e Fierzës, duke rrezikuar që ajo të shembet dhe të dalë jashtë përdorimit. Një pjesë e trasesë së saj është dëmtuar, duke krijuar një gropë në anën e djathtë, me rreze 1.5 m, duke rrezikuar dhe automjetet që kalojnë në të. Deri në mbrëmje qarkullimi nuk ishte ndërprerë, por nëse nuk merren masa për përforcimin e saj, atëherë rreziku është real. Kjo urë është 30 m e gjatë dhe 10 m e lartë dhe është 500 larg tunelit të shkarkimit të Fierzës, i cili këto ditë ka shkarkime të mëdha. Në të kalohet nga Bajram Curri në Fierzë dhe më pas në Qafë Mali. Ura është e vetmja që lidh Tropojën me pjesën tjetër të vendit me rrugë tokësore, kur linja e trageteve nuk funksionon. Specialistët thonë se nuk bëhet fjalë për dëmtim të këmbëve të urës, pasi ato janë thellë në beton dhe hekur, por për trasenë e saj. j.h