E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidrocentralet, ulen derdhjet

 SHKODER/ RIDVAN DIBRAUlet ritmi i shkarkimit të ujit nga hidrocentralet. Ndërsa Shkodra vazhdon të jetë e mbuluar nga uji, një lajm i mirë duket optimist për të ndryshuar situatën. Të dhënat e marrë në orët e vona të mbrëmjes tregojnë për një ulje të nivelit të shkarkimit, në 500 metër kub në sekondë. Marrja e këtij vendimi është bërë krahasuar me gjendjen e reshjeve, të cilat u ndërprenë për 24 orë në këtë territor. Mësohet se zbritja e sasisë së ujërave që shkarkohen nga portat e hidrocentraleve është bërë gradualisht gjatë ditës, duke arritur në 500 m3/sek. Megjithatë, ndikimi në zonat e përmbytura dje nuk është ndjerë. Gjatë ditës së djeshme, uji ai ka fituar territor, kryesisht në zonat e Nënshkodrës. Kështu, vala e ujit është përhapur edhe në komunën e Bushatit dhe të Bërdicës. Sipërfaqja e tokave të përmbytura arrin në 10270 hektarë, ndërkohë që është rritur edhe numri i familjeve të evakuara duke arritur në 3850 persona në shkallë rrethi, pas shtimit këtu dhe të zonës së përmbytur të Livadheve. Gjatë gjithë natës së të enjtes, deri në mëngjesin e djeshëm forcat e ushtrisë dhe të policisë kanë ndihmuar për evakuimin e familjeve të fshatrave komunave të përmbytura, si dhe në përforcimin e argjinaturës së lumit Buna në fshatin ças të Velipojës. Sipas të dhënave nga komunat problematike janë evakuuar të gjithë fëmijët, pleqtë dhe gratë, ndërsa një pjesë e kryefamiljarëve kanë vazhduar të qëndrojnë pranë banesave të tyre në katet e sipërme. Sipas kontaktit që kanë pasur me policinë kryefamiljarët që kanë qëndruar në banesat e tyre kanë mjete të vogla lundruese dhe kanë numrat e kontaktit me policinë për shpëtim në rast rreziku. Nga ana tjetër uji ka mbuluar ndjeshëm dhe rrugën e Velipojës dhe jo vetëm ka penguar qarkullimin rrugor, por ka rrezikuar të përmbytë stacionin e pompave të ujit të pijshëm në fshatin Trush. Ka qenë ndërhyrja e ushtrisë, e cila ka ndërhyrë duke e rrethuar me thasë me rërë nënstacionin për ta mbrojtur nga vërshimi i ujërave. Qarkullimi i mjeteve për në drejtim të Velipojës (përjashtim bëjnë vetëm kamionët e mëdhenj të ushtrisë) bëhet nga ish-rruga e vjetër e Torovicës nëpër Bentin duke dalë tek Ura e Gjo Lulit. Gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm mund të shihje nga shëtitorja e qytetit të Shkodrës fryrjen e skajshme e liqenit të Shkodrës në hyrje të tij. Uji i liqenit të Shkodrës dhe i lumit Buna ka dalë mbi rrugën shëtitore, ndërsa pjesa e fundit e urës së Bunës është fare pranë ujit. Kjo fryrje e liqenit dhe e këtij lumi ka shkaktuar përmbytje të lagjeve periferike, ndërsa ka dalë dhe pranë pallateve të reja që janë në përfundim e sipër buzë liqenit të Shkodrës. Liqeni ka krijuar një problem të madh në kolektorët e shkarkimit të ujërave të bardha të qytetit të Shkodrës. Probleme ka pasur dhe në zonën e Vaut të Dejës, ku ka një rritje të madhe të nivelit të ujit pranë fshatit Spathar. Aty po punohet për forcimin e argjinaturave me inerte dhe zhavorr për të mënjanuar përmbytjen e këtij fshati dhe të fshatit Kuç të komunës Guri i Zi. Gjatë ditëve të fundit është bërë shpërndarja e ndihmave ushqimore, ku mësohet se 100 pako janë dërguar në Bushat, 150 në Bashkinë Shkodër, 300 pako në Dajç, 200 pako në Obot.Të dhënat e përmbytjesBashkia Shkodër    250 hektarë tokë të përmbytur184 persona të evakuuar320 shtëpi të përmbyturaKomuna Dajç2 mijë hektarë të përmbytur2 mijë persona të evakuuar1187 shtëpi të përmbyturaKomuna Ana Malit    1370 hektarë të përmbytur248 persona të evakuuar180 shtëpi të përmbyturaKomuna Velipojë2 mijë hektarë të përmbytur25 persona të evakuuar50 shtëpi të përmbyturaKomuna Bërdicë1800 hektarë të përmbytur370 persona të evakuuar130 shtëpi të përmbyturaKomuna Guri Zi650 hektarë të përmbytur689 persona të evakuuar200 shtëpi të përmbyturaKomuna Bushat1700 hektarë të përmbytur312 persona të evakuuar130 shtëpi të përmbyturaKomuna Qendër, M.Madhe500 hektarë të përmbytur10 persona të evakuuar8 shtëpi të përmbyturaGjithsej 10270 hektarë dhe 2205 shtëpi të përmbytura. Të evakuuar 3850 persona

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›