E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misionet paqeruajtëse,rritet pagesa për ushtarakët

 Rritet shpërblimi ditor për ushtarakët shqiptarë të dërguar me misione paqeruajtëse jashtë vendit. Dy ditë më parë qeveria ka vendosur pagesa të reja për këtë grup të forcave të armatosura. Përfitojnë të dërguarit në Republikën e çadit e Afrikës Qendrore, në kuadrin e misionit ushtarak “MINURCAT” të OKB. Veç tyre shpërblim më të lartë do të marrin edhe të dërguarit në Bosnje-Hercegovinë, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA” të BE-së dhe trupat e nisura në Afganistan, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Sa i përket këtyre të fundit, shpërblimi ditor nuk do të jetë më 60 dollarë amerikanë dita, por 12 000 mijë lekë për nivelin e parë të rrezikshmërisë dhe 9 000 lekë për nivelin e dytë të rrezikshmërisë. Sipas vendimit të qeverisë për trupat e dërguara në çad dhe në Republikën e Afrikës Qendrore, pagesa nga 60 euro do të bëhet 9000 lekë. “Shpërblimi ditor për ushtarakët shqiptarë të dërguar në Bosnje-Hercegovinë, në kuadër të operacionit “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian, të jetë 6 000 (gjashtë mijë) lekë, për çdo ditë qëndrimi në këtë mision”, thuhet në vendimin e qeverisë, ku saktësohet pagesa për trupat e dërguara në Bosnje-Hercegovinë.   Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i vitit 2010, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2010. Vendimet e mëparshme, të marra për pagesat e trupave të nisura në këtë shtete, shfuqizohen. Pagesën më ta lartë edhe për nga shkalla e rrezikshmërisë do ta kenë të dërguara në Afganistan. Në kuadër të koalicionit kundër terrorizmit, vendi ynë brenda vitit 2010 do të ketë 202 trupa të dërguara në këtë shtet. Për herë të parë, 20 prej këtyre trupave do të merren me operacionet luftarake. Ka qenë qeveria që ka premtuar rritjen e numrit të ushtarakëve tanë në misionet paqeruajtëse, pas anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›