Berluskoni, sot në Tiranë si i ftuar personal i kryeministrit Berisha

Kryeministri italian vjen në Tiranë për të konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy qeverive, por edhe mbështetjen e fortë që Italia do t’i japë partnerit të saj të rëndësishëm të përtejadriatikut. Pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të rëndësishme në fushën energjetike, ndërkohë që tema të rëndësishme do të jenë çështja e liberalizimit të vizave dhe perspektiva e ardhshme e Korridorit VIII
Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Silvio Berluskoni, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit Sali Berisha. Gjatë takimit Berisha dhe Berluskoni do të marrin pjesë dhe në nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe akteve zyrtare ku me interes janë marrëveshjet që kanë të bëjnë me sektorin energjitik, bashkëpunim për të cilin kryeministri Berluskoni, por dhe kryeparlamentari Italian Frattini dhe Ministri i Jashtëm Fini, gjatë vizitave të tyre në Shqipëri, kanë shprehur interes të veçantë.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me ndërtimin një rigazifikatori në zonën e Fierit - një kontratë kjo, prej 1 miliard eurosh, që do të firmoset me kompaninë e njohur të ndërtimeve në vendin tonë, Falcione. Si dhe realizimin e një impianti eolik në jug dhe jug-lindje të Vlorës dhe e linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar.
Berisha dhe Berluskoni në mënyrë të vazhdueshme janë shprehur për realizimin e një projekti të përbashkët për ngritjen e një centrali bërthamor, në Shqipëri. Duket se pikërisht vënia në jetë e këtij projekti, do të zërë dhe pjesën më të madhe të diskutimeve mes 2 kryeministrave gjatë takimit të sotëm. Gjithashtu, në qendër të diskutimeve do të jetë edhe perspektiva e ardhshme e Korridorit VIII, të cilin, Italia e konsideron si një nga prioritet e saj të ardhshëm.
Ndërkaq, në vijim të axhendës së kryeministrit Berluskoni, parashikohet një takim me presidentin e Republikës Bamir Topi. Dhe më pas do të pasohen takimet me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarit të PS, Edi Rama.
Në vijim të vizitës së Berluskonit është parashikuar edhe një takim me investitorë italianë që operojnë në Shqipëri.
Kjo është vizita e parë e Berluskonit në Shqipëri që prej një viti, që ai u rizgjodh President i Këshillit të Ministrave të Italisë, dhe vizita e tij e 2-të zyrtare si kryeministër.
...