LSI për hetimin e rrugës Durrës-Kukës

“Debati i nxitur nga PS-ja për të spostuar vëmendjen nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka komentuar dje për herë të parë debatin e fortë mes Qeverisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe partisë Socialiste lidhur me dosjen hetimore të rrugës Durrës-Kukës. Për LSI-në ky është një debat i cili po amplifikohet, sipas një strategjie të kujdesshme, në sensin e largimit të qëllimshëm, të vëmendjes nga “ngjarje shumë të mëdha e shumë të rënda që kanë pllakosur vendin, siç ka qenë tragjedia e Gërdecit, akoma e pazbardhur dhe pa përgjigje, dhunimi i Kushtetutës në fuqi dhe që ka disekuilibruar vendin dhe pushtetet e më skandaloze dhe kulmi i tyre është Kodi Zgjedhor, i cili shënoi hapa shumë të mëdha prapa e që krijoi pasigurira shumë të mëdha politike dhe që nuk ishte një hap në drejtimin e duhur, ashtu sikurse dhe partnerët ndërkombëtarë kërkonin”. “Duke qenë se ky proces është një proces i hapur dhe është në duart e drejtësisë, ne kërkojmë që drejtësia të kryejë me korrektesë, me konsekuencë dhe të mos ndikohet nga presionet politike ngado që ato vijnë. Drejtësia duhet të zbardhë përgjegjësitë e të vërteta për këtë investim që është shumë i rëndësishëm nga pikëpamja politike e gjeopolitike, por në fund të fundit, është një investim i madh publik ku çdo abuzim dhe çdo përgjegjës për abuzimet duhet të përgjigjet para ligjit njëlloj si gjithë të tjerët”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm kësaj force, Petrit Vasili.
Duke u fokusuar tek buxheti i vitit 2009 që mori pak ditë më parë konsensusin e shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, Vasili tha se kriza që ka kapluar sistemin e shëndetësisë do të thellohet edhe me tej pasi plani i ri financiar redukton ndjeshëm fondet për këtë sektor. “Ne, vijoi më tej Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së- kemi kërkuar përgjigje të mëdha nga qeveria, edhe për krizat e mëdha të karakterit ekonomik që vendi po përjeton e nga të cilat rrezikohet por kjo krizë evidente e ulur këmbëkryq, e pohuar dhe e pranuar nga vetë qeveria, e që merr përgjigje të tilla, pra përpilon, harton e miraton në mënyrë të papërgjegjshme, buxhete të tilla e ndihmuar nga ata deputetë që përfundimisht kanë humbur përgjegjshmërinë politike, të cilët së paku në këtë pikë kaq skandalozisht të qartë, kur të gjithë shpenzimet dihen dhe kriza është ulur këmbëkryq, e këta vazhdojnë e bëjnë demagogji lart e poshtë, së paku këtu duhet të kishin votuar kundër e ky buxhet duhej të rrëzohej së paku për pjesën e shëndetësisë, në mënyrë të padiskutueshme”.
...