Vizita e Kryeministrit italian në Tiranë gjen jehonë edhe nga mediat ndërkombëtare

Financial Times: Berluksoni konfirmon Shqipërinë si fuqi rajonale në energjetikë
Në një shkrim të botuar dje në prestigjiozen ekonomike britanike, “Financial Times”, i bëhet jehonë vizitave të kryeministrit italian, Suilvio Berluskoni në vendin tonë dhe konkretizimit të planeve të parashpallura në fushën e energjetikës, duke i cilësuar ato si shumë ambicioze, duke sjellë në vëmendje hapat e mëdhenj që Shqipëria po ndërmerr për t’ u bërë lider në sistemin modern të energjetikës alternative edhe në plan rajonal. Projekte madhështore në fushën e energjetikës, duke përfshirë edhe atë që cilësohet si centrali më i madh i energjisë së erës, do të jenë në tavolinë gati për t’ u nënshkruar kur kryeministri italian, Silvio Berluskoni të takohet me Sali Berishën, homologun e tij shqiptar në Tiranë nesër - e çel artikullin e saj “Financial Times”.
Kriza energjetike kronike në Shqipëri dhe ambiciet e zotit Berisha për të krijuar një rrjet energjetik rajonal në vendin e dytë më të varfër të Europës, kanë hapur një treg të ri për shumë kompani italiane, shton më tej gazeta në fjalë.
Më poshtë “Financial Times” shton ndër të tjera se “Zoti Berisha po ofron kushte joshëse për investitorët, duke përfshirë leje afatgjata për të vënë në përdorim troje shtetërore kundrejt një vlere minimale me anë të një iniciative të quajtur ‘Shqipëria një euro’.
Sipas njoftimeve qeveritare, shtojnë dy artikullshkruesit nga Roma e Athina, Genc Ruli, Ministri shqiptar i Energjetikës, pritet të nënshkruajë dy projekte energjetike - një kontratë prej 1 miliardë eurosh për Grupin “Falcione” nga Italia për të ngritur një impiant gazifikimi pranë qytetit të Fierit në jug të Shqipërisë dhe një gazsjellës nënujor që lidh brigjet shqiptare me ato italiane; dhe një tjetër kontratë prej 1.15 miliardë eurosh me “Moncada”, një kompani ndërtimesh siciliane, për të ngritur një impiant për përftimin e energjisë nga era pranë gadishullit të Karaburunit si dhe ngritjen e linje kabllore në Detin Adriatik, drejt Italisë.
Më tej gazeta thekson se “Defiçiti energjetik në Itali si dhe problemet e brendshme në ndërtimin e infrastrukturës së re, po e bëjnë Shqipërinë një opsion atraktiv për fushën e burimeve energjetike. Impianti i energjisë së erës propozuar nga kompania ‘Moncada’ përfshin ngritjen e 250 turbinave, duke prodhuar një masë energjie të përftuar prej erës, që do të jetë dhe më e madhja në Evropë”.
Profil/Silvio Berluskoni, Kryeministër i tre mandateve në Itali
Kryeministri aktual i Italisë, Silvio Berluskoni lindi më 29 shtator të vitit 1936. Ai është kryeministri i tretë që ka shërbyer për një periudhë më të gjatë në Republikën e Italisë (Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë), një pozicion që ai e ka mbajtur në disa mandate: nga viti 1994 deri në vitin 1995, nga viti 2001 deri në vitin 2006, që nga fillimi i vitit 2008. Ai është lideri i lëvizjes politike “Forza Italia”, një parti e qendrës së djathtë që ai e krijoi në vitin 1993. Përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2008 në Itali ai shpalli synimet e tij për të krijuar një parti të re politike, “Il Popolo della Libertà” (Populli i Lirisë), që u krijua me shkrirjen e lëvizjes “Forza Italia” me partinë “Alleanza Nazionale” (Aleanca Kombëtare) dhe parti të tjera antikomuniste në 2008-n. Fitorja e tij në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2008 i hapi rrugën një mandati të tretë për këtë post.
Berluskoni është themeluesi dhe aksioneri më i madh i “Fininvest”, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha private në vend, që aktualisht operon në media dhe financë. Në aksionet e kësaj kompanie përfshihen tre nga nëntë televizionet kombëtare, disa kanale televizive dixhitale, si dhe disa revista të ilustruara me tirazh më të madh. Të gjitha së bashku ato përbëjnë gati gjysmën e tregut italian. Ai është pronari i shumë skuadrave sportive, më i njohuri është klubi i futbollit AC Milan. Nën drejtimin e tij, AC Milan fitoi një numër trofesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Me Ennio Doris ai themeloi “Mediolanum ShpA”, një nga bankat dhe grupet e sigurimeve shoqërore më të mëdha të Italisë. Berluskoni, së bashku me princin saudit, Al-Waleed bin Talal, është një nga aksionerët kryesorë të Mediaset.
Sipas revistës “Forbes”, Berlusconi është personi i tretë më i pasur i Italisë, me asete personale me një vlerë prej 9.4 miliardë dollarësh në vitin 2008, ai paraprihet vetëm nga Michele Ferrero dhe Leonardo del Vecchio. Me këngëtarin napolitan, Mariano Apicella ai shkroi dy albume me këngë napolitane: “Meglio ‘na canzone” në vitin 2003 dhe “L’ultimo amore” në vitin 2006. Ai shkroi himnin e AC Milan me producentin italian të muzikës dhe këngëtarin pop, Tony Renis dhe himnin e “Forza Italia-s” me dirigjentin e operës, Renato Serio.
Ndërkohë, ngritja e tij politike ishte e shpejtë dhe e rrethuar me polemika. Ai u zgjodh anëtar i parlamentit për herë të parë dhe u caktua si kryeministër pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të marsit të vitit 1994, kur “Forza Italia”, fitoi shumicën më pak se tre muaj pasi ishte themeluar zyrtarisht. Ai krijoi administratën e parë të qendrës së djathtë në 34 vjet. Megjithatë, kabineti i tij u shpërbë pas shtatë muajsh, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme në koalicionin e qendrës së djathtë.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të prillit të vitit 1996, ai kandidoi sërish për postin e kryeministrit, por u mund nga kandidati i qendrës së majtë, Romano Prodi. Nga viti 1996 deri në vitin 2001 ai ishte lideri i opozitës parlamentare. Në zgjedhjet parlamentare të majit të vitit 2001, ai ishte sërish kandidati i qendrës së djathtë për postin e kryeministrit dhe fitoi ndaj kandidatit të qendrës së majtë, Francesco Rutelli. Berluskoni krijoi më pas qeverinë e tij të dytë. Berlusconi ishte lideri i koalicionit të qendrës së djathtë në zgjedhjet parlamentare të prillit të vitit 2006, që i humbi me një diferencë të ngushtë, kundërshtari i tij ishte sërish Romano Prodi. Më 17 maj të vitin 2006 ai u pasua zyrtarisht nga Prodi. Nga viti 2006 dhe 2008 ai u bë sërish lideri i opozitës parlamentare. Në më pak se dy vjet, që kur dha dorëheqjen në vitin 2006, ai u rizgjodh me një shumicë absolute në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të prillit të 2008-s dhe bëri sërish betimin si kryeministër më 8 maj të 2008, pas shpërbërjes së qeverisë së fundit të Romano Prodit më 24 janar të 2008.
...