E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni vjen sot në Shqipëri për parkun energjetik



Kryeministri italian Silvio Berluskoni do të vizitojë sot Shqipërinë. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Berluskoni do të firmosë një marrëveshje me kryeministrin shqiptar Sali Berisha për ndërtimin e një parku energjetik. Dy projektet energjetike kapin një vlerë prej 2.5 miliardë euro, ndërkohë që është projektuar kontraktimi i “Falcone Group” dhe “Micanden”, që janë kompani siçiliane. Projekti parashikon ndërtimin e një uzine rigazifikimi pranë Fierit dhe një tubacion gazi nën det për në Itali. Marrëveshja e dytë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh, shkon për “Mocandën”, firmë ndërtuese siçiliane për projektin e prodhimit të energjisë me anë të erës në Gadishullin e Karaburunit, si dhe një kabëll energjie që do të shkojë nëpërmjet Adriatikut në Itali. Projekti për sigurimin e energjisë me anë të erës do të përfshijë 260 turbina duke e bërë këtë një nga projektet më të mëdha në Europë. Gazeta “Financial Times” ka komentuar dje në një artikull vizitën e Berluskonit në Shqipëri. Sipas gazetës, firmosja e marrëveshjeve midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane është një përpjekje e qeverisë “Berisha” për të nxjerrë vendin nga kriza energjetike para zgjedhjeve të qershorit 2009. “Një arsye tjetër urgjente për zotin Berisha janë zgjedhjet elektorale të qershorit 2009. Shqiptarët, të lodhur me “black out”, mund ta shohin si zgjidhje projektin e parkut energjetik. Po kështu, z. Berisha ka bërë edhe një ftesë joshëse për investitorët, “Shqipëria një euro”. Z. Berisha po ofron kushte tërheqëse për investitorët, por njerëzit e përfshirë në projekte thonë se firmat e huaja mund të përballen me vështirësi. Ata japin paralajmërimin se vendi është i përfshirë nga korrupsioni, mungesa e transparencës në procedurat e aprovimit, mosmarrëveshje për tokën dhe rezistencë nga ambientalistët shqiptarë”, - shkruhet në artikull.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›