Bernd Shuster i paprekshëm: Konfirmohem edhe pa titull
Trajneri i Realit të Madridit, Bernd Shuster, ka marrë konfirmimin nga presidenti Ramon Kalderon se do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e madrilenëve edhe nëse nuk fiton titullin kampion. "Pak kohë më parë, Kalderon më tha se do të qëndroja te Reali i Madridit edhe nëse nuk e fitoja titullin kampion, pasi ky është një projekt dhe ne po ndërtojmë një skuadër. Ne duhet të kompletojmë fazën e dytë të ndërtimit të kësaj skuadre gjatë verës dhe jam i bindur se do ta bëjmë këtë duke mbajtur medaljet e kampionëve. Unë kam besimin e plotë të presidentit të skuadrës dhe nuk më nevojitet asgjë tjetër", u shpreh Shuster në një intervistë për të përditshmen "Marca". Fjalët e trajnerit të madrilenëve kanë gjetur konfirmim thuajse në të gjitha mediat, të cilat janë të sigurta tashmë se Kalderon nuk do të vazhdojë ndryshimet e vazhdueshme në pankinë, por do të përpiqet të ndryshojë përbërësit e skuadrës. Pasi largoi "fitimtarin" Kapelo menjëherë pas suksesit në kampionat, presidenti i Realit dëshiron t‘i besojë plotësisht gjermanit, edhe pse kjo do të thotë që të zhvillojë një tjetër fushatë blerjesh, e shoqëruar me "spastrime" të shumta. Gazeta katalanase "Sport", ka bërë të ditur se është bërë gati lista me 8 lojtarë që do të largohen menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni. Metzelder, Saviola, Soldado, Baptista, Kanavaro, Diarra, Salgado dhe Dudek janë të përzgjedhurit që do të shërbejnë për të siguruar disa të ardhura që do të shpenzohen për blerje të reja. Kanavaro vazhdon të kërkohet nga klubet italiane, pavarësisht faktit se ka pasur një rënie të ndjeshme që prej kalimit në kampionatin spanjoll. Edhe Diarra është një emër i kërkuar me Interin që është gati të paguajë rreth 15 milionë për të. Ndërsa Milani mund të kthehet përsëri në garë për Baptistën, duke shfrytëzuar edhe uljen e çmimit të tij.