Lojërat Olimpike, Evropa ndahet
Evropa është ndarë në lidhje me bojkotimin e mundshëm të liderëve politikë në ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike të Pekinit, më 8 gusht. Pasi Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, deklaroi javën e shkuar se do të jetë në kryeqytetin kinez edhe një herë tjetër, Evropa rrezikon të mos ecë me një hap. Në Londër, në takimin franko-britanik, është shfaqur një mospërputhje mendimesh që rrallë herë vihet re në kampin diplomatik. Kryeministri britanik, Gordon Braun, ka thënë se do të marrë pjesë në ceremoni, ndërsa përkrah tij, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka përsëritur pozicionin e tij, pra që nuk e përjashton një bojkotim të mundshëm, por që gjithsesi do të konsultohet me vendet e tjera të BE-së para se të marrë një vendim. Në fakt, nga 1 korriku i ardhshëm, Franca do të marrë Presidencën e radhës së BE-së. E në këtë kontekst, Qipro dhe Danimarka kanë përjashtuar të enjten mundësinë e bojkotimit të olimpiadës me deklaratat zyrtare të ministrave respektivë të jashtëm. Ndërsa Presidenti i Estonisë ka thënë se nuk do të jetë i pranishëm në ceremoni për shkak të angazhimeve të mëparshme, por jo për çështjen e Tibetit. Kryeministri i Polonisë dhe Presidenti i Republikës Çeke kishin thënë më herët se nuk do të shkonin në Pekin për shkak të represionit kinez në Tibet. Ndërsa zëvendëskryeministri i Belgjikës thotë se nuk përjashton bojkotimin. Si pasojë, është Polonia vendi që merr një pozicion më të prerë ndaj Kinës dhe këtë pritet ta shpalosë edhe në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, që do të mbahet sot dhe nesër në Brdo të Sllovenisë. Ndër temat e tjera, shefat e diplomacisë së vendeve evropiane kanë vënë në axhendë edhe Tibetin dhe lojërat olimpike. "Polonia është një fuqi mesatare dhe nuk dëshiron të bëjë të parin e klasës, por vlerësimi im është shumë i qartë: prania e politikanëve në ceremoninë e inaugurimit të lojërave nuk më duket e përshtatshme", ka thënë Donald Tusk. E ndërkohë, një grup murgjish tibetianë ka manifestuar dje para gazetarëve të huaj të dërguar në Lhasa, kryeqytetin e Tibetit, nga Ministria e Jashtme e Kinës. Sipas gazetarëve, murgjit thërrisnin: "Liri, liri". Censura kineze ka ndërprerë edhe një transmetim të rrjetit televiziv BBC, ndërsa po shfaqte disa imazhe të Lhasas, të filmuara gjatë udhëtimit nga një kameraman i agjencisë APTN. I vetmi gazetar evropian i pranishëm në këtë vizitë ishte një nga korrespondentët nga Pekini i britanikes "Financial Times". Murgjit u kanë thënë gazetarëve se ishin të burgosur në tempullin e tyre që nga 10 marsi, kur edhe nisi raundi i ri i protestave nga ana e tibetianëve. Manastiret kryesore të Lhasës, nga ku kanë nisur edhe protestat, janë rrethuar nga policia. Që atëherë, autoritetet kineze nuk u janë përgjigjur pyetjeve mbi gjendjen në tempuj.