Entuziazëm për debutimin e Patos
Ndeshja miqësore mes Brazilit dhe Suedisë ka bindur të gjithë se sulmuesi i Milanit, Aleksandre Pato, është e ardhmja e "seleçaos". Në këtë takim, ku kujtohej 50-vjetori i fitores së titullit të parë "Kampion Bote" ndaj suedezëve, Pato ka qenë ylli i mbrëmjes me golin e vetëm të takimit që i ka dhënë suksesin skuadrës së Dungës. Gazeta "Globoesporte" ka qenë shumë direkte me komentin e saj. "Ishte një paraqitje që kujton fillimet e Pele, Ziko, Rivaldo e Ronaldinjo". Me pak fjalë, Pato krahasohet që tani me disa prej emrave më të shquar të futbollit brazilian në vite. Gazeta sportive braziliane kujton se në minutën e 10-të të pjesës së dytë, i gjithë publiku ka thirrur në kor emrin e tij, pasi ai vazhdonte të qëndronte në pankinë. Sulmuesi u aktivizua në minutën e 60-të dhe vetëm 12 minuta më vonë shënoi golin e tij të parë me fanellën e përfaqësueses në ditën e debutimit. "Pato? Ka luajtur vetëm pak ndeshje si profesionist, por është që tani një lojtar i madh", ishin fjalët e Dungës, dukshëm i kënaqur nga fakti se ka gjetur një tjetër të ri të talentuar që mund të mbulojë shumë mirë mungesat e Adriano, Ronaldo, Ronaldinjo apo edhe Kaka.