Blater: Shteti duhet të respektojë FIFA-n
Presidenti i FIFA-s, Josef Blater, në një intervistë ekskluzive për "Top Channel", ka bërë një përmbledhje të situatës së pezullimit të Shqipërisë. Ai është shprehur se institucioni që drejtonte ishte përpjekur në të gjitha mënyrat të evitonte një vendim të tillë, por kjo nuk u bë e mundur. "Fillimisht dua të përshëndes Shqipërinë dhe sidomos të gjithë tifozët e futbollit. Si president i Federatës Botërore të Futbollit, sigurisht nuk jam i kënaqur nga vendimi që na u desh të merrnim në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv për të pezulluar Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo ishte një masë që ne dëshironim ta mënjanonim, por që prej rreth një viti ne u përpoqëm që ta zgjidhnim këtë gjendje, pra të largonim ndërhyrjet e politikës. Për këtë arsye, ne kishim dërguar zotin Senes Erzik, zv/presidentin e UEFA-s, i cili ka ardhur dy herë për të qetësuar gjendjen, por për fat të keq një gjë e tillë nuk ndodhi", tregoi Blater. Më tej, ai sqaroj se arsyeja kryesore e vendimit ishte mosrespektimi nga shteti shqiptar i statutit të FIFA-s. "Dua t‘ju them një princip kryesor. Ne nuk jemi asgjë, asgjë që ka lidhje me qeverinë dhe shtetin, dhe me këtë rast të Shqipërisë. Ju mund të miratoni çdo ligj për Sportin, por nëse federata juaj e futbollit dëshiron të jetë pjesë e FIFA-s, duhet të respektohet minimumi i statutit të FIFA-s dhe kjo duhet të zbatohet edhe nga qeveria juaj. Unë shpresoj që dialogu të jetë i mundshëm në të ardhmen për të zgjidhur këtë situatë, pasi viktima e saj është futbolli dhe ju tifozët e futbollit. Për këtë arsye duhet të gjejmë një zgjidhje sa më shpejt që futbolli shqiptar të luajë në fushat ndërkombëtare. Ju mund të luani në vendin tuaj, por jo jashtë tij", deklaroi presidenti i FIFA-s.