E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubet mbështetin FSHF-në: Pango, tërhiqu!

Komuniteti i futbollit shqiptar tashmë është i pozicionuar tërësisht në krah të FSHF-së, në konfliktin e saj me MTKRS-në. Vendimi është marrë pas një mbledhjeje të Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni me drejtuesit e klubeve të Superiores, të cilët janë shqetësuar nga pezullimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Nëse pak ditë më parë flitej për bojkot e për Asamble të Jashtëzakonshme, klubet këtë radhë nuk kanë ngritur asnjë kërkesë të menjëhershme, duke vendosur që të mbështetin institucionin e futbollit.

"Ne, përfaqësuesit e 12 klubeve të Kategorisë Superiore, të mbledhur sot në një takim në Federatën Shqiptare të Futbollit, me Presidentin e FSHF-së dhe Komitetin Ekzekutiv të saj, me shumë seriozitet, kemi marrë informacion dhe kemi diskutuar për gjendjen në futbollin shqiptar dhe pasojat që janë krijuar pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe UEFA-s, për pezullimin e Shqipërisë nga të gjitha kompeticionet evropiane dhe botërore. Të shqetësuar për këtë vendim, i cili jo vetëm e penalizon rëndë futbollin shqiptar, por prek edhe drejtpërdrejt investimet tona, ne përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore vendosëm: T‘i kërkojmë ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ylli Pango, të plotësojë zyrtarisht kërkesat e parashtruara nga FIFA dhe UEFA. Të firmosë statutin e aprovuar në Asamblenë e datës 09.06.2007 nga anëtarët e saj. Z. ministër, të demonstrojë vullnet të plotë, që garanton plotësimin e kushteve të vëna nga FIFA dhe UEFA dhe të hyjë sa më parë në kontakt me këto organizma për zgjidhjen e problemit", shkruhej në deklaratën e bërë nga klubet shqiptare, të cilat në këtë mënyrë u kanë dhënë fund të gjitha hipotezave për një mbështetje ndaj MTKRS-së. "Ne garantojmë tërë opinionin publik se do të jemi kritikë ndaj fenomeneve negative që shfaqen në futbollin shqiptar. Ne garantojmë, se do t‘i luftojmë këto fenomene negative brenda familjes së futbollit dhe me mbështetjen e anëtarëve të saj. U ra dakord që në Asamblenë e ardhshme të radhës së FSHF-së të vendosen në rendin e ditës dhe të diskutohen disa pika për të cilat ne si klube do të biem dakord. Ne garantojmë se kemi të gjitha forcat për t‘i zgjidhur vetë dhe brenda familjes tonë problemet tona. Përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore, konfirmojnë se do të vazhdojnë normalisht aktivitetin dhe njëkohësisht janë të bindur që kjo gjendje duhet të kapërcyer sa më shpejt. Futbolli shqiptar ka nevojë të rikthehet urgjentisht në familjen e madhe të futbollit botëror, atje ku e ka vendin dhe ku meriton të jetë", përfundon kjo deklaratë, në të cilën shihet qartë se klubet kanë hequr dorë nga tentativat për bojkot të aktivitetit.

Partizani

Xhani kërkon

Asamble në

muajin prill

Ndonëse klubet shqiptare kanë bërë të qartë se nuk kërkojnë Asamble të Jashtëzakonshme, presidenti i Partizanit, Albert Xhani, ka bërë një listë kërkesash drejtuar FSHF-së, përfshirë edhe zhvillimin e Asamblesë në fundin e muajit prill. Sipas tij, statuti duhet të pësojë disa ndryshime të rëndësishme në të mirë të futbollit shqiptar. "Heqjen e të drejtës që ka Komiteti Ekzekutiv për ndryshimin e kalendarit të aktiviteteve futbollistike pas fillimit të sezonit, këtë të drejtë ndryshimi të kalendarit pas momentit të fillimit të aktiviteteve ta kenë vetëm anëtarët pjesëmarrës sipas kategorive. Të ardhurat e FSHF-së në një masë prej 30% të shumës, pavarësisht burimit të tyre të shpërndahen te ne anëtarët e saj, kjo në bazë të një skeme që duhet diskutuar. Ndryshime në statut për kufizimin e mandatit të presidentit të FSHF-së, jo më shumë se dy mandate. Ndryshime në nenin që u heq të drejtën klubeve për shitjen e të drejtës televizive, e drejtë kjo që i rrjedh nga legjislacioni shqiptar për shoqëritë aksionere. Ulje të shpenzimeve për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, sipas Kartës Olimpike. Të rritet vlera e shpërblimit në çdo fund sezoni për klubet. Njohja e anëtarëve të FSHF për çështjet financiare, jo vetëm në Asamblenë e Zakonshme, por disa herë gjatë periudhës midis dy Asambleve, bazuar në nenin 9. Komisioni i kontrollit të brendshëm për çështjet financiare duhet të ketë si anëtarë të tij përfaqësues klubesh", janë disa nga kërkesat e Xhanit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›