E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa në fushë, Shqipëria në...dosje

Dy javë më parë, në emisionin "Top-Show Sport", lidhur me përjashtimin e Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA, zv/ministri Ekrem Spahia ka hedhur baltë mbi Federatën e Futbollit. Tregonte me gisht, tepër i sigurt, shkaktarët e gjëmës. Në një moment ka ndërhyrë me telefonatë edhe presidenti Armand Duka. Sa herë që i drejtohej me emër zv/ministrit i thoshte "Mykerem" në vend t‘i thoshte Ekrem. Një stil i njohur i Dukës në komunikimin me kundërshtarët. Po të kujtojmë edhe polemikat me ish-ministrin Leskaj, kur në një përballje televizive shpesh i kish thënë "ky burri, ky burri".

Ka frikë të shfaqet në skenë ministri Pango dhe të gjitha shigjetat e armatës zyrtare janë shkarkuar te "Mykeremi". Edhe në televizionin "Alsat", në rubrikën sportive, ky "Mykeremi" u bë për ujë të ftohtë nga gazetarë, specialistë… juristi që shfaqet vetëm në momente Asamblesh. Për çudi njerëzit e Federatës, ku gjatë gjithë sezonit nuk kanë preferuar të dalin nëpër ekrane, tani luten që të sulmojnë Pangon dhe ndihmësin e tij që bredh me dosje. Duket qartë se në korridoret e futbollit është dhënë kushtrimi: ky është momenti! Cili ngre më shumë zërin, bëhet më i besueshëm! Këtë e thekson edhe presidenti Duka kur thotë me humor se "sekretari Arben Bici ka bërë një gabim naiv atë mbrëmje televizive përballë zv/ministrit. Kur dikush në emision i tha që të mbyllte dosjen, ai u bind shumë shpejt. E kisha dërguar që ta hapte dhe jo që ta mbyllte. Në ekran fiton ai që flet më shumë". Kishte një hipotezë: Ministria është tërhequr dhe lojën do ta bëjnë presidentët. Por është edhe një version tjetër, sipas të cilit presidentët një nga një po humbasin rebelimin. Edhe deklarata e fundit e zyrtarit të FIFA-s, Shampanj, ku iu bë thirrje politikës për tërheqje, ka shkaktuar eufori në FSHF dhe më shumë frikë te kundërshtarët.

Kur presidentin Duka e pyetën nëse ndihet fajtor në këtë situatë krize për futbollin, ka dhënë një përgjigje që meriton kureshtje: "Nëse politika do të mësohet të diktojë, atëherë do të vuajnë edhe ata që do të vijnë pas meje". Pra presidenti po mendon edhe për ata që do t‘i marrin karrigen një ditë. Jo shumë i besueshëm kur kujton se lufta mes Ministrisë dhe FSHF-së nuk bëhet për atë togfjalëshin e famshëm, por që presidenti të mos kufizohet me dy mandate. Kështu edhe "veteranët" e Komitetit që mbijetojnë prej 3 apo 4 mandatesh do të mendojnë për përjetësinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›