E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beryl Bainbridge

Lamtumira e Zonjës së Madhe të letërsisë angleze është pa dyshim një nga shkrimtaret britanike më në zë të shekullit të fundit, autore e 18 romaneve, në të cilët irracionalja infiltron në botën reale, duke u shndërruar në një mister të vërtetë

është cilësuar si Zonja e Madhe e letërsisë angleze dhe që nga orët e hershme të mëngjesit të kaluar, nuk jeton më. Beryl Bainbridge, 75 vjeçe, një nga shkrimtaret më të famshme britanike, u shtrua në spital pak ditë më parë, pasi vuante nga kanceri. Për krijimtarinë e saj ka qenë 5 herë kandidate e “Booker Prize”, dy herë fituese e një çmimi që jepet në Britani për prozën dhe fituese e disa çmimeve të tjera. Romanin e saj të parë, Bainbridge e botoi në vitin 1967, “Një fundjavë me Klopdin”, ndërsa kandidimin e parë për çmimin “Booker” e mori me romanin e pestë, në të cilin përshkruan fëmijërinë e saj në Liverpul. Për shumë kritikë letrarë ajo ishte një zë shumë origjinal, ishte një komediane serioze, romanet e së cilës përfundonin të gjithë në mënyrë tragjike.

Ndonjëherë ajo shfaqej si një kloun, herë-herë si një vajzë që zbaviste të tjerët, por gjithmonë pas maskës fshihej një talent i rrallë i një romanciereje të përkushtuar. Ajo ishte unike në letrat britanike. Një nga veçoritë e Bainbridge ishte të qenët shumë kërkuese në veprat e saj. Një pjesë e veprave që ka shkruar ishin me bazë historike dhe pikërisht këto vepra ishin tërësisht të ndryshme nga ato të mëparshmet. Librat me tema historike ishin të ndërthurur me prozën plot fantazi dhe paraqisnin një rebus të vërtetë për lexuesin, i cili ndjente fillimin e një historie, por nuk mund ta imagjinonte kurrë fundin e saj, madje as vazhdimin. E tillë, plot enigma dhe mistere, ishte edhe vetë autorja. Kur i qëllonte të hynte në ndonjë dhomë me njerëz, të gjithë e ndjenin se diçka e veçantë kishte ardhur dhe se ajo nuk do t’u zbulohej e jepej kurrë plotësisht atyre. Shkrimtarja ishte e pajisur me një zë shumë të bukur, me një timbër të rrallë, që e dallonte nga të tjerët dhe i jepte një element më shumë magjepsjes. Edhe ata që ia kishin dëgjuar zërin, qoftë edhe një herë të vetme, e mbanin mend atë për gjithë kohën dhe nëse do t’u qëllonte që ta dëgjonin sërish, do ta njihnin menjëherë. Kanë qenë të shumtë ata që kanë pasur një respekt dhe admirim të madh për të.

Në momentin që ndërroi jetë, ajo ishte duke i dhënë dorën e fundit një libri për të cilin kishte gjashtë muaj që punonte pa ndërprerje, edhe pse gjendja shëndetësore ishte e rëndë. Planet janë që libri gjithsesi të publikohet vitin që vjen. Për shumë kritikë, ajo është një legjendë që me vdekjen do të shndërrohet në një legjendë edhe më të madhe. “Ishte një zë kaq origjinal, sa zor se një i tillë do të vijë sërish në letërsinë britanike”, deklaron botuesi i saj. Në një intervistë të fundit që dha për një revistë, ajo bëri të ditur se libri që kishte në dorë ishte dashuria e saj e fundit dhe se do të ishte shumë interesant për të gjithë. “është një libër ku do të gjeni pjesë nga vetja ime dhe ajo e veprave të mia, dhe mbi të gjitha më në fund jam thjesht komike, pa sarkazmin që më ka karakterizuar gjatë gjithë periudhës që kam shkruar”. Në po atë intervistë autorja rrëfente se tashmë kishte vite që ishte përgatitur për vdekjen. “Kam bërë gjithçka gati dhe jam përgatitur shpirtërisht për këtë kalim në një tjetër realitet. Jam shumë e rregullt në këtë pikë, siç kam qenë në të gjitha gjërat e mia në jetë, sepse për mua është e rëndësishme që njeriu t’u paraprijë ngjarjeve, që nuk do të thotë absolutisht që t’i ndjellë ato”.

Beryl ka qenë edhe një gazetare shumë kërkuese dhe ka kontribuar për një kohë të gjatë në kolonën e “Evening Standard” për disa vite. Pikëpamjet e saj kanë qenë gjithmonë të çuditshme dhe shumë interesante dhe ajo ia ka dalë gjithmonë që të tërheqë pas vetes lexues dhe mbështetës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›