Saga e Loreal që po trondit Francën
Një zonjë e vjetër miliardere në konflikt me të bijën, një fotograf homoseksual mbi të cilin bien dyshime se e ka joshur në mënyrë platonike për t’i zhvatur një pjesë të pasurisë, një President Republike që ngatërrohet në një çështje të tillë, një ministër Shteti që krijon konfuzion për rolin e tij institucional, një sekretar administrativ “i partisë sarkoziste” dhe bashkëshortja e tij e punësuara e miliarderes (180 mijë euro në vit, sipas “Canard Enchaene”): lista e personazheve të lartpërmendura të bëjnë të mendosh se e gjithë kjo çështje është një përzierje mes tragjedisë shekspiriane dhe koncertit variete alla Feydeau. Ngjarja është bërë edhe më aktuale për shkak të një maxhordomi, i cili ka regjistruar në mënyrë të paligjshme bisedat e miliarderes me burrat e saj: 28 CD që i janë dorëzuar policisë, prej të cilave janë zbuluar evazione fiskale dhe ishuj ekzotikë të padeklaruar më parë. E gjitha kjo nuk është film, por një psikodramë miliardere që po trondit pushtetin politik.
Protagonistja numër një është Liliane Bettencourt, 87 vjeçe, pasanikja e shtatëmbëdhjetë në botë, vajzë dhe trashëgimtare e vetme e Eugene Schueller, shpikësi i bojërave për flokë dhe themeluesi i “L’Oreal”-it, ku ende sot është aksionistja e parë. Vajza e saj, Françoise Meyers-Bettencourt, thotë se e ëma nuk është më në rregull, që gjatë gjithë kohës është e rrethuar nga François-Marie Banier, një fotograf, piktor dhe artist shumë i zoti dhe ambicioz, të cilit zonja e vjetër i ka dhuruar një miliardë euro për sigurimin e jetës, çeqe dhe vepra arti. Ky është një konflikt që shkon përtej çështjeve psikanalitike nënë e bijë: përfaqësuesi ligjor i Nanterrit, mik i ngushtë i Nicolas Sarkozy, u përpoq ta mbyllte këtë çështje medoemos, por situata është aq e acaruar saqë palët i janë drejtuar gjyqit.
E hapur prej më shumë se dy vjetësh, çështja është bërë një biznes shtetëror me regjistrimet e paligjshme të një maxhordomi, i cili ka përgjuar fshehtas bisedat e Bettencourt, nga ku është mësuar gjithçka në vijim: zonja ka 78 milionë euro në Zvicër, por nuk i ka deklaruar asnjëherë. Mendohej se paratë do t’i transferonte në Singapor (pas zbulimit ajo ka siguruar se do t’i regjistrojë); gjithashtu zonja Bettencourt ka marrë me qira ishullin Arros në Sejshelles. Po ashtu, Elizeja duket mjaft i interesuar mbi “luftën” nënë e bijë, prandaj është pozicionuar në anën e Liliane Bettencourt dhe ka bërë të ditur paraprakisht se përfaqësuesi ligjor i Nanterrit ka vënë një gur në themelin e biznesit së “L’Oreal”-it. Mes vartësve të Bettencourt është edhe Florence Woerth, bashkëshortja e ministrit të Punës, Eric, i cili prej tetë vjetësh drejton thesarin e Ump, partia e qendrës së djathtë, prandaj financimi prek të gjithë pasanikët e vendit, përfshi këtu edhe vetë Bettencourt; së fundmi nga një bisedë telefonike, kuptohet se zonja Woerth është punësuar me kërkesë të të shoqit.
Le t’i lëmë mënjanë detajet e tjera që janë pafund. Kaq mjaftojnë për të tronditur opinionin publik, i cili ka mbetur gojëhapur nga disa rrëfime (si për shembull ajo e një nënsekretari i cili është paguar nga shteti me 12,500 euro cigare ‘Havana’ dhe vazhdon të shfrytëzojë i lumtur postin e tij). Kjo nuk është e vetmja: në të tilla ryshfete është përfshirë edhe firma e famshme “L’Oréal”, kapitali i të cilës arrin në 45 miliardë euro, pa llogaritur pastaj të ardhurat që merr nga kompania zvicerane “Nestlé”, për momentin aleati besnik i familjes Bettencourt. “Deri kur do të rezistojë Woerth?”, pyet shtypi. Në gjithë këtë mesele, nuk dihet se si do t’i vejë halli edhe fatit të një ministri: në një histori ku janë më se të dukshme raportet mes botës së pasur dhe pushtetit politik, rrezikohet edhe rizgjedhja e Presidentit Sarkozy. Ségolène Royal e ka kuptuar këtë gjë dhe është hedhur menjëherë në sulm: “Sistemi ‘Sarkozy’ është i korruptuar”, ka thënë ajo. Tashmë çështja “Bettencourt” nuk është më thjesht një biznes familjar.
#