E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha gjenet e 100-vjeçarëve

Zbulohet testi i jetëgjatësisë Përmes një studimi të shkencëtarëve të Universitetit të Bostonit, i publikuar në revistën “Science” janë zbuluar 150 mutacione tipike të personave që plaken “në mënyrë të shëndetshme” (pa u prekur nga sëmundjet e ndryshme). Mbi këtë bazë është krijuar një test i cili parashikon deri në 77 për qind se sa vite do të jetojë një individ

Më në fund, shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë hartën e gjeneve të jetëgjatësisë. Deri para pak kohësh, gjenetistët kishin zbuluar shumë pak të dhëna. Tani një studim i publikuar në revistën “Science” ofron 150 mutacione gjenetike karakteristikë e njëqindvjeçarëve, të cilët kanë arritur të plaken pa u prekur nga asnjë sëmundje. Me këtë bazë të dhënash, shkencëtarët e Universitetit të Bostonit kanë përgatitur edhe një test jetëgjatësie: analiza e ADN-së te një i sapolindur mund të parashikojë (natyrisht jo aksidentet automobilistike dhe shqetësimet e tjera për shkaqe ambientale) se sa vite do të jetojë ai individ. Siguria e këtij testi ka arritur deri në 77 për qind, por me kalimin e viteve mund të rritet dhe të depërtojë thellë në sekretet e gjenetikës.

Autorja e parë e artikullit të publikuar në revistën “Science”, është një studiuese europiane, e transferuar në Boston para dhjetë vjetësh, e cila gjithashtu është eksperte në fushën e biostatistikës. “Për të arritur në rezultatet e dëshiruara kemi studiuar të tërë gjenomën e 801 njëqindvjeçarëve. Ka qenë një punë e vështirë dhe shumë interesante në të njëjtën kohë, prandaj nuk habitemi që kemi gjetur kaq shumë variante gjenetike. Plakja është një proces shumë i ndërlikuar dhe përfshin aspekte të tëra të shëndetit. Nuk mund të kënaqeshim duke gjetur vetëm disa lloje gjenesh”, është shprehur studiuesja.

Të moshuarit e përfshirë në studim (i cili ka zgjatur dhjetë vjet) i përkisnin një moshe mesatare nga 103 deri në 119 vjeç. Në një proces të quajtur “genome-wide association study” ADN-të e tyre janë ndarë dhe më pas janë kryqëzuar me ato të mijëra individëve të tjerë normalë. Duke krahasuar këto të dhëna shumë të rëndësishme, kompjuterët kanë shkëputur variantet e vetme të ADN-ve që lidheshin me një “plakje të shëndetshme”.

Për 150 “pikat kritike” që janë në gjendje të fiksojnë trupin e sëmundjeve dhe të ofrojnë mundësinë e 20-30 vjetëve jetë mbi mesataren, janë interesuar kompanitë amerikane, të cilat e përdorin gjenomën si biznes. Aktualisht, do të duhen disa javë për të analizuar të dhënat e reja të studimit të publikuar në revistën “Science”, pastaj me siguri në treg do të hidhet ndonjë aparaturë e re që çdo njeri të llogarisë jetëgjatësinë e tij.

“Presioni i kompanive në këtë sektor është jashtëzakonisht i fortë”, thotë studiuesja. “Që prej kohës kur kemi filluar të prezantojmë në kongreset e ndryshme linjat e zakonshme të studimit tonë, interesi i kompanive private është bërë shqetësues. Më në fund të dhënat e studimit tonë u bënë publike dhe me siguri do të jenë pjesë e një biznesi. Analizimi i një testi të tillë nuk është aspak banal, sepse siguria nuk është absolute. Ajo arrin deri në 77 për qind. Nëse nuk merren parasysh faktorët ambientalë dhe stili i jetesës, përbërësi gjenetik i jetëgjatësisë nuk ka shumë rëndësi. Kjo gjë u duhet shpjeguar të gjithë personave të cilët i nënshtrohen një analize”, shton ajo. Një studim i realizuar në vitin 1996 te dy binjakë, kishte përcaktuar se roli i gjeneve në “plakjen e shëndetshme” arrinte deri në 20-30 për qind.

Për të pasuruar hartën e koordinatave të vlefshme që duhen zbuluar, 150 variantet gjenetike karakteristikë e super të moshuarve janë grupuar në 19 hapësira të mëdha, secila e shënuar me një problem shëndetësor tipik i plakjes: sëmundje kardiovaskulare, të metabolizmit dhe demencës së trurit. Mundësitë për të arritur shëndoshë e mirë në moshën 100-vjeçare varen nga kryqëzimi dhe kombinimi i këtyre varianteve. “Avantazhi i ofruar nga gjenet e plakjes lind nga shuma e këtyre modifikimeve të ndryshme”, shpjegon një studiuese nga Instituti i Teknologjive Biomjekësore. “Deri më tani nuk është identifikuar asnjë variant, që nëse trashëgohet, ofron mundësi të mira për të arritur në moshën 100-vjeçare. Kështu, nga njëra anë do të na duhet të kontrollojmë vazhdimisht kombinimet gjenetike që ndikojnë te sëmundjet dhe nga ana tjetër, mundësinë për t’i pasur ato”, përfundon studiuesja.

Studimi

Hapi i parë janë 19 firmat gjenetike të gjetura prej grupit të shkencëtarëve të drejtuar nga Thomas Perls e Paola Sebastiani, Universiteti i Bostonit. Studimi është publikuar në revistën “Science” me titullin “Genetic signatures of exceptional longevity in Humans”.

Nëse një njeri është i programuar që të jetojë mesatarisht 120 vjet, duhet të dimë se cilat mutacione të ADN-së e ndalojnë ose e favorizojnë këtë gjë. Më pas mund të gjendjet sekreti i 100-vjeçarëve. Pozitivisht ndikojnë edhe stili i shëndetshëm i jetesës, mutacionet e rralla, ambienti ku jetojmë dhe ushqimet që konsumojmë. Shkencëtarët e Universitetit të Bostonit kanë zbuluar në kromozome 4 gjene që janë të përfshira drejtpërsëdrejti në mekanizmat të cilat zgjasin jetën dhe e mbrojnë organizmin nga sëmundjet. Ky studim është i pari në fushën e gjenetikës i kryer te një numër i madh njëqindvjeçarësh. Studiuesit kanë gjetur pothuajse 300 mijë variante gjenetike (SNPs) dhe kanë identifikuar 150 kombinime, që nëse analizohen me një model llogaritjeje të moderuar, arrijnë të parashikojnë nëse një individ do të arrijë, ose do t’i kalojë 100 vjeçët, me një precizion rreth 80 për qind.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›