E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion për largimin e pompave të komunitetit

Projekti i ri i vendosjes së rrjetit sekondar kërkon vendosjen e linjave të reja

Në fund të muajit gusht do të nisë zhvendosja e të gjitha pompave thithëse të ujit që janë vendosur në hyrjet dhe katet e para të pallateve. Bëhet fjalë për të gjitha pallatet dhe ndërtimet shumëkatëshe në qytetin e Fierit. Vendosja e sistemit matës dhe zbatimit të projektit për rrjetin e ri të brendshëm të ujësjellësit do të sjellë edhe këtë ndryshim. Drejtori i Ujësjellës–Kanalizimeve në Fier, Agim Plepi, është shprehur se prania e pompave do të jetë e panevojshme që nga muaji gusht, për vetë faktin e instalimit të rrjetit të ri sekondar të ujësjellësit, duke siguruar më tepër prurje në rubinetet e familjeve të abonentëve, ndërkohë që prania e pompave do të sillte çrregullim të nivelit të presionit. “Në muajin gusht gjithë qyteti i Fierit do të njihet me aksionin e heqjes së pompave të ujit nga katet e para. Ndërmarrja e Ujësjellësit ka nisur nga zbatimi i disa projekteve të rëndësishme, të cilat përkojnë në vënien e linjave të reja. Një prej investimeve është edhe vendosja e rrjetit sekondar, i cili është duke u vendosur dhe deri në fund do të jetë totalisht një rrjet i ri. Ky rrjet sekondar do të mundësojë largimin e pompave”, tha kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Sipas tij, projekti do të zbatohet duke implementuar edhe vendosjen e sistemit të matëseve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›