Fier, naftëtarët mbi tre muaj pa paga
Kompania e naftës “Albpetrol” sh.a. prej vitesh po përballet me një kizë të rëndë ekonomike. E ndërsa kjo kompani nuk është në gjendje të kryejë likuiditete të ndryshme, së fundmi ajo po përballet edhe me vështirësinë e dhënies së pagave për punonjësit. Të gjitha drejtoritë dhe departamentet e “Albpetrolit” nuk kanë marrë pagat prej më shumë se 3 muajsh. Madje, Qendra e Prodhimit të Naftës Patos dhe Qendra e Prodhimit të Naftës Sheqisht, ka plot katër muaj pa pagë.
Naftëtarët e këtyre qendrave prodhuese tregojnë se kanë që nga pesëmbëdhjetëditëshi i dytë i muajit shkurt që janë paguar dhe më pas asnjë pagë nuk kanë mundur të marrin. “Jemi pa bukë më saktë, pasi rroga jonë lidhet me ushqyerjen e familjes. Kemi katër muaj pa rrogë. Nuk kemi më se ku të vemi”, ka thënë Vesel Toro, naftëtar. “Në familje jam 5 persona. Dy fëmijë i kam në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme, kurse një tjetër e kam në shkollë të lartë. Sot atyre u vihet në diskutim buka dhe jo më të mendosh shkollën dhe sezonin e provimeve. Nafta jonë është e pasur për shtetin, por e varfër për ne që lamë jetën aty”, ka thënë Asqeriu, një tjetër naftëtar. Si shkak i mospagesës së qindra naftëtarëve, këta të fundit thonë se listat për ushqime, nëpër dyqanet e lagjeve ku ata jetojnë, janë të gjata. “Listën edhe për bukë po e rrisim nga dita në ditë. Vetëm unë punoj në shtëpi”, ka thënë Ymeri, naftëtar. Naftëtarët e papaguar u janë drejtuar zyrave përkatëse në ndërmarrjes ku punojnë, por prej andej kanë marrë përgjigjen negative se nuk ka lekë. Ata gjithashtu i janë drejtuar edhe drejtorisë së përgjithshme të kompanisë, ku nga zyra e financës kanë marrë të njëjtën përgjigje të mospasjes së lekëve. Në zyrën e financës specialistë të saj pohojnë se arkat dhe numrat e llogarisë së “Albpetrol” janë bosh, madje as likuiditete të rëndësishme nuk janë kryer. Kompania ka marrë kredi për pagesë kohë më parë dhe deklarohet se ende ajo kredi nuk është likuiduar. Tashmë po shihet mundësia e një kredie tjetër, por bankat e kanë të vështirë, si pasojë e krizës ku ndodhet “Albpetroli”.