Bashkia, kopsht për fëmijët e Bregut të Lumit
Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar një godinë, e cila në vijimësi do të funksionojë si kopsht dhe çerdhe për fëmijët që jetojnë në zonën e Bregut të Lumit, në kryeqytet. Ky institucion, sipas burimeve nga bashkia e kryeqytetit, do të gëzojë standarde tërësisht bashkëkohore dhe do të hapë dyert për të gjithë fëmijët që janë banorë të kësaj zone periferike. Kryetari i bashkisë, Edi Rama, iu referua kushteve të vështira sociale, me të cilat ndeshen banorët e zonës periferike të Bregut të Lumit, duke vënë theksin në investimet e kryera nga bashkia në këtë zonë. Sipas Ramës, më kryesorja në të gjithë këtë investim është lehtësimi i jetës dhe kushteve të vështira të prindërve të tyre, që punojnë në një mijë e një vështirësi, duke mos gjetur vende pune për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. çerdhja ka një kapacitet, ku do të mund të akomodohen rreth 80 fëmijë, të cilët do të përfitojnë një shërbim cilësor. Rikonstruksioni dhe shtimi i ambienteve ekzistuese ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e godinës, përfshi këtu edhe sistemin qendror të ngrohjes, instalimin e radiatorëve në të gjitha ambientet e çerdhes, si edhe kuzhinën profesionale. Në vijim të përmirësimit dhe standardizimit të shërbimit edukativ dhe psikosocial, janë krijuar dhomat e veçanta për mjekun, punonjësin social, salla për trajnimin e prindërve dhe lojërave për fëmijët. Ambientet janë pajisur me lojëra dhe mjete didaktike për realizimin e procesit edukativ.
#