E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa-Beselidhja, nga Intertoto te mbijetesa

Besa dhe Besëlidhja do të përballen në javën e parafundit të Kampionatit të 69-të Kombëtar në një sfidë për "jetë a vdekje". Skuadra kavajase ka humbur në dy ndeshjet e fundit me Partizanin (0-1) në shtëpi dhe Dinamon (2-0) në kryeqytet dhe është në rrezik për vendin e tretë, që të con në Kupën Intertoto, njëherësh edhe bileta e fundit për në Europë.
Tri vendet e tjera janë ndarë: Vllaznia e ka merituar një vend në Kupën UEFA, ndërsa Dinamo e Partizani do të ndajnë midis tyre jo vetëm titullin kampion por dhe se cili ekip do të luajë në Ligën e Kampioneve dhe në vendin e dytë në Kupën UEFA.
Skuadra kavajase ka vetëm dy pikë më shumë se Elbasani (pret Kastriotin në shtëpi) dhe përpara se të përballet në javën e fundit me Teutën, me të cilën diskutoi edhe finalen e Kupës së Shqipërisë një sezon më parë, synon tri pikët ndaj një Besëlidhje ambicioze e që luan kartën e fundit për të mos rënë direkt nga Kategoria Superiore.
Skuadra kavajase e cifit Haxhiaj-Berati vuan nga disa mungesa: Ramadani e Mërtiri (të skualifikuar), Leci e Mihani (të dëmtuar, në dyshim). Blerja e bujshme Artim Shaqiri (i dëmtuar) ka javë që nuk duket në horizont.
Në takimin e fundit skuadra lezhjane fitoi 1-0 me Tiranen, kampionen në fuqi të Shqipërisë (por matematikisht e shkurrorëzuar) dhe Besëlidhja e Ilir Gjylës beson ende në mbijetesën e saj, parë faktin se dhe takimin e fundit e kanë me fqinjën, Vllazninë e Shkodrës.
Dy përballjet se zonale dhanë këto përfundime: në fazën e parë Besa fitoi në shtëpi 2-0 (gola të Veliaj e Arapit), ndërsa në fazën e dytë në Lezhë takimi u mbyll në barazim 2-2 (Toma e Petrevski për Besëlidhjen, Alikaj e Shaqiri për Besën).
Dy ekipet janë ndeshur midis tyre 40 herë: 18 fitore Besa, 9 fitore Besëlidhja dhe 13 barazime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›