Elbasani mendjen te Europa, Kastrioti do barazim

Elbasani, pas barazimit në "Niko Dovana" me Teutën (1-1) synon fitoren me Kastriotin në "Ruzhdi Bizhuta" e për të shpresuar në një hap fals të Besës kundër Besëlidhjes për të pasur mundësi për një vend në Europë, ku mungoi vitin e fundit.
Trajneri Krenar Alihmehmeti nuk do të jetë në bankinë (u ndëshkua në ndeshjen me durrsakët), ndërkohë që zëvendësit e tij Filja e Gogunja do të vuajnë mungesën e mbrojtësit maqedonas Nikola Karcev (i skualifikuar).
Skuadra krutane me 35 pikë në 31 javë dhe 2 e 4 pikë më shumë se Teuta e Besëlidhja kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t'u luajtur thuajse e ka të sigurt një vend në play-out, ku do të përballet më pas me një nga ekipet që do të renditet në vendet 3-4 të Kategorisë Superiore. Një barazim në Elbasan do ta kënaqte pa masë Kastriotin, që i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet e këtij sezoni jashtë shtëpisë. Teknikut të Kastriotit, Ramazan Ndreu do t'i mungojë Erald Turdiu (i dëmtuar).
Dy skuadrat në dy ndeshjet e para të këtij sezoni kanë ndarë nga një fitore me të njëjtin rezultat: 2-0. Kastrioti fitoi në fazën e parë me golat e Turdiut e Rizvanollit, ndërsa Elbasani në fazën e dytë me autogolin e Brahjas e golin e kosovarit Nallbani, aktualisht te Vllaznia.
Në 14 përballjet historike bilanci është thuajse i barabartë: 6 fitore Elbasani, 5 fitore Kastrioti, 3 barazime.