Besa: Fotot e incidentit në Teheran
Besa po përgatitet për festivalin e fundvitit në RTSH
Besa, dëgjuam për incidentin me fotografinë tënde në Teheran. Të kishte shkuar ndonjëherë mendja që do ishe diku e censuruar?
Të them të drejtën s’e kisha menduar asnjëherë. Aq më tepër që fotoja për të cilën u bë zhurmë atje, ishte një foto krejt etike. Në fakt unë nuk dallohem as për shkelje parimesh etike! (qesh)
Si është historia e asaj fotografie, ku është bërë?
Ajo fotografi, së bashku me 2-3 të tjera, janë realizuar për kopertinën e Revistës "Spektër" Dhjetor, 2007. Në të janë të ekspozuara vetëm flokët dhe supet(në largësi).
Nga kush?
Nga Geljant Kaleci, një fotograf shumë i talentuar.
E ngacmon ndopak muzën tënde artistike kjo ngjarje disi e pazakontë për ne që jetojmë, si të thuash, nën një kulturë tjetër?
Në fakt, mua më duket disi e tepruar të ndalosh ekspozimin e një foto-portreti të thjeshtë. Por, sipas vendit, bëhet kuvendi. (qesh). Ndoshta për organizatorët e atij panairi në Teheranin e largët, një foto apo një filmim, mund te konsiderohet jashtë standardeve etike apo morale. Ne që i jetojmë ndryshe ditët tona, habitemi. Jemi thjesht të ndryshëm.
Sa për muzën, ç’të të them. E sigurt është që kur dëgjon gjëra të tilla, natyrshëm nis e mendon se si është të jetosh në një vend me kufizime të tilla!
Meqë jemi te muza, me se po merret aktualisht Besa?
Besa e ka thyer "premtimin" se nuk do të merrte pjese në festivale. Nuk i kam rezistuar dot ftesës së festivalit të Radio Televizionit Shqiptar. Do të konkurroj sivjet.
Me çfarë kënge?
Kënga ime është një krijim i kompozitorit Alban Male, ndërsa poezia nga bashkëpunëtori im i përhershëm Olti Curri. Është një këngë shumë e dashur për mua.
Ka motive shqiptare?
Mbart të veçantën e një kënge bashkëkohore. Në ndërtim është shumë shqiptare.
Çfarë pret Besa nga ky eveniment?
Kemi punuar shumë për këtë pjesëmarrje. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Nga eksperienca konsideroj si arritje maksimale kur vlerësimet e publikut dhe të kritikës ndërthuren.
Shpesh vlerësimet në evenimente të tilla kontestohen. Ti beson tek gjykimi i drejtë?
Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje objektivisht. Është pjesëmarrja ime e parë por kam pranuar ftesën apo jo? Kjo do të thotë që kam besim tek aftësitë përzgjedhëse të Petrit Becit dhe Pirro Çakos. Festivali ka një juri dhe një publik.
Ke menduar për daljen skenike?
Premtoj se do jetë diçka interesante.
PYETËSORI I PRUSTIT
Çfarë është lumturia absolute?
Nuk mendoj se lumturisë mund t’i bashkëngjitet një cilësim si "absolute". Sidoqoftë mendoj se harmonia shpirtërore është lumturi.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Unë nuk zgjohem herët në mëngjes...(qesh)
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Dje në mbrëmje.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Entuziazmi.
Defekti juaj kryesor?
Inercia.
Ndaj cilave gabime je më tolerante?
Atyre që bëhen pa vetëdije.
Hera e fundit që u përlotët?
Ditën e pavarësisë, duke parë lajmet. Në 3 kryeqytete shqiptare Tiranë, Shkup e Prishtinë valëviteshin flamujt kuq e zi. Në dy të fundit festohej me "revoltë". Ishte emocionuese, u përlota.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Piramidat në Kairo.
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Viktor Hygo, Balzak, Gustav Flober
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Fisnikërinë
Tek një grua?
Mençurinë
Kompozitori juaj i preferuar?
Moxart, Shopen, Bach, Bethoven.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Whitney Houston - All The Man That I Need.
Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
Se fundmi, novela "Netochka Nezvanova".
Piktori juaj i dashur?
Janë shumë, nga Da Vinci te Francisco de Goya.
Filmi që ju la mbresë të thellë?
"Avokati i Djallit", "Edit Piaff"
Ngjyra juaj e preferuar?
Janë katër: E zeza, e kuqja, jeshilja, e bardha.
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
"Engjëjt vrasin njëlloj", besoj.
Pija juaj e preferuar?
Malibu, Archers, Disaronno, WKD Iron Brew.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Padrejtësinë.
Kur nuk punoni, çfarë ju pëlqen të bëni?
Të rri me miqtë, të lexoj, të shkoj në kinema, të shijoj plogështinë totale (qesh)
Frika juaj më e madhe?
Të humbas gjërat që kam, pasi jam e ndërgjegjshme se duke i patur nuk i vlerësoj sa ç’duhet.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Jo gënjeshtra. Më shumë përdor ca si modifikime “diplomatike” për të evituar të lëndoj të tjerët
Cila është motoja juaj?
Profesionalisht? Nuk kam ndonjë moto të përcaktuar. Dëshiroj me shpirt destinacionin, por mbi të gjitha shijoj rrugën deri atje.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Unë di si NUK do të dëshiroja të vdisja; të digjesha apo mbytesha. Ndërsa për vdekjen me pëlqen shumë një thënie e Woody Allen; Nuk kam frikë nga vdekja; thjesht s'dua të jem atje kur të ndodhë.(Qesh)
Po të ndodhte të takonit Zotit, çfarë do ju pëlqente t'i thonit?
'Ke bërë një punë të mrekullueshme...' Do ta falënderoja me zemër edhe që është treguar shumë i mirë me mua.
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Gjendja para-festivalore (qesh). Ankth. Por është një ankth shumë i pëlqyeshëm.