E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa Myftiu dhe Elina Duni: Arti lidhja jonë më e fortë

“Mbrëmja artistike” që sollën mbrëmë në Teatrin Metropol shkrimtarja Besa Myftiu dhe vajza e saj këngëtarja Elina Duni ishte magjia që sjell poezia dhe muzika xhaz në një skenë të vogël siç ishte ajo “Çehov”. Në një mbrëmje artistike, nën e bijë sollën krijime letrare dhe këngë. Shkrimtarja Besa Myftiu kishte zgjedhur për të interpretuar poezi nga vëllimi i saj “Miq të humbur” dhe fragmente nga romani “Rrëfime nga vendet e harruara”. Pas çdo recitimi të së ëmës, në skenë shfaqej këngëtarja Elina Duni, që solli për publikun tingujt e veçantë të muzikës xhaz. Nënë e bijë, kanë karriera të ndara njëra nga tjetra, por që janë vlerësuar shumë nga kritika e huaj, njëra si shkrimtare e tjera si këngëtare. “Gjithmonë kam dashur që Elina ta donte shumë letërsinë, prandaj që e vogël i lexoja “Mitologjinë greke”, prandaj mund të them që raporti ynë ka qenë gjithmonë i lidhur me artin. Marrëdhënia më e fortë që kemi ne të dyja është pikërisht lidhja artistike. Me kohë kjo lidhje u forcua edhe pse në fusha të ndryshme”- thotë Besa Myftiu. Ideja e një spektakli letërsi-këngë në fakt iu dha nga një mikeshë e përbashkët nga Zvicra. Fillimisht nënë e bijë për herë të parë interpretuan bashkë në Bernë dhe falë suksesit që patën atje ftesat për të performuar të dyja bashkë në një mbrëmje artistike, ku letërsia e Besa Myftiut të sillet përmes këngës së Elia Dunit dhe anasjelltas nuk munguan. Pas atij interpretimi të parë, Besa Myftiu dhe Elina Duni interpretuan thuajse në të gjitha qytete e Zvicrës. Ndërsa Elina Duni e sheh këtë mbrëmje si nevojë të publikut shqiptar. “Publiku shqiptar ka shumë nevojë për mbrëmje të tillë intime që ta marrë me vete. Unë dhe Besa duke qenë afër njëra tjetrës mendoj se e marrim me vete publikun. Dhe diçka e tillë është dhe paksa e re për publikun shqiptar, i cili nuk është mësuar me gjëra të tilla, ku nënë e bijë të ndajnë bashkë skenën. Por mes nesh ka funksionuar çdo herë. Ne tashmë kemi realizuar tre spektakle nëpër Shqipëri dhe kemi patur sukses”- shprehet këngëtarja e xhazit, Elina Duni. Shkrimtarja e larguar prej njëzet vjetësh në Gjenevë të Zvicrës, ka zgjedhur frëngjishten si gjuhë letrare. Për shkrimtaren, e kaluara shqiptare dhe Shqipëria është një burim temash letrare. Pikërisht këtë solli Besa mbrëmë në Metropol. Ndërsa këngëtarja shqiptare e muzikës xhaz, që jeton në Zvicër, Elina Duni, interpretoi disa këngë nga repertori i saj, të cilat i ka kënduar edhe në disa skena botërore. E lindur në Tiranë më 1981, në një familje artistësh, Elina Duni u ngjit në skenë për herë të parë në moshën 5-vjeçare dhe paralelisht studioi violinë, për t’u bërë sot një nga emrat e vlerësuar të muzikës xhaz. Një vit më parë ajo zhvilloi një koncert në Tiranë, në fund të vitit të kaluar, në Akademinë e Arteve së bashku me kuartetin e saj, ku solli një ndërthurje të folklorit shqiptar me muzikën xhaz. Xhazi dhe folku në zërin e saj karakteristik, së bashku me kuartetin, përbërë nga pianisti Colin Vallon, basi Patrice Moret dhe bateristi Norbert Pfammatterm sollën një atmosferë të munguar prej kohësh me ngjyra të tilla muzikore në kryeqytet. E ftuar në edicionin e 11-të të stinës së muzikës ndërkombëtare “Klasik”, Duni së bashku me kuartetin e krijuar qysh më 2005, me një repertor të tillë ajo vijoi turin edhe në kryeqendrat shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Gazeta gjermane “Die Zeit” jep vlerësimet për kuartetin duke shkruar: “Shumë rrallë na dëgjon veshi një muzikë si ajo e Elina Dunit, që transformon këngët shqiptare, rumune ose bullgare në xhaz, duke ruajtur në të njëjtën kohë origjinalitetin”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›