E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violinistja Ervis Gega Dodi mahnit kritikën e huaj

TIRANE- Violinistja shqiptaro gjermane Ervis Gega Dodi, e befasoi publikun austriak me paraqitjen e saj të hënën në festivalin e famshëm të Tirolit, në Austri. Ajo ekzekutoi për herë të parë në historinë e debutimeve muzikore në Austri, sonatën e panjohur deri tani të kompozitorit austriak Anthon Ladurner si dhe sonatën op.30, nr.2 në do-minor të Ludwig van Beethovenit.

Brohoritjet e pareshtura të dashamirësve të muzikës gjatë gjithë mbrëmjes bënë, që ajo të luante edhe një herë në fund të koncertit kohën e fundit të sonatës Ladurner-Tyrolienne. Jashtëzakonisht energjike, precize dhe me një cilësi estetike maksimale violinistja shqiptaro- gjermane interpretoi çdo frazë të repertorit të saj. Ishte suksesi i dytë i violinistes Gega brenda pak ditësh, pas koncertit të madh solistik ditën e shtunë më 16 korrik në kështjellën Poppelsdorf të Bonn-it.

Në të ajo luajti para spektatorëve me filarmoninë klasike të Bonnit "Katër stinët e vitit" të Antonio Vivaldit si dhe dy pjesë të Moxartit – Adagio dhe Rondo. Kritika e huaj e cilësoi lojën e saj me një bukuri të rrallë prekëse, me një tingull të kristaltë dhe teknikë mahnitëse. Violinistja Ervis Gega Dodi është tashmë një personalitet i padiskutueshëm muzikor, e cila me performancat e saj mbetet në mendjen e publikut, duke u bërë e pa zëvendësueshme në skenat europiane.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›