E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa-Vllaznia, rrokadë në Superligë

 

Ekipi i Besës fitoi dje ndaj Vllaznisë në stadiumin e Kavajës dhe është ngjitur në vend të dytë me 14 pikë. Besa ka arritur fitoren e 3-të radhazi në kampionat duke mundur këtë radhë brenda në fushën e vet ekipin shkodran. Kavajasit me shumë mund e sakrificë kanë arritur që të marrin tre pikët e radhës të cilat e kanë ngjitur tashmë këtë ekip në vendin e 2-të në klasifikim vetëm 4 pikë prapa Tiranës kryesuese. Të tre ndeshjet e fituara së fundi nga kavajasit kanë qenë me rezultatin e ngushtë 1-0, por sigurisht kjo ndaj Vllaznisë është më e rëndësishmja pasi i ndihmonte që të ngjiteshin më lart në klasifikim. Shkodranët të cilët kishin ardhur në Kavajë me synimin për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje nuk kanë arritur që të përmbushin synimin e tyre, megjithëse kanë zhvilluar një volum të madh loje duke u munduar here pas here që të shënonin në portën kundërshtare por pa fat. Në minutën e 21-të të takimit do të ishte një gabim fatal i portierit me eksperiencë Armir Grima i cili do të tregohej i pavëmendshëm në kontrollin e topit teksa sulmuesi kosovar Halitit do t’ia rrëmbente nga këmbët për të shënuar golin e parë dhe të vetëm në këtë takim. Në minutën e 37-të nga fusha e lojës do të dilte me kartonin e kuq futbollisti shkodran Suad Lici i ndëshkuar nga gjyqtari Pashaj me motivin e fyerjes së publikut kavajas me fjalë dhe me gjeste. Në pjesën e dytë ishte Vllaznia ajo që mori nën kontroll lojën pavarësisht se luante me një lojtar më pak, ndërsa verdhezinjtë për habi u tërhoqën duke pasur synimin e vet. Besa arriti deri në fund që të mbajë në fuqi golin e shënuar nga Haliti dhe rrëmbeu tri pikët e plota.
Bylis mund Apoloninë
Ekipi i Bylisit fitoi dje ndaj Apolonisë në stadiumin “Adush Muça” me rezultatin e ngushtë 1-0. Takimi filloi i shpejtë e i bukur për të dy ekipet, por më të qetë e më të saktë në këtë fillim u treguan futbollistët ballshiot që pas një sulmi të shpejtë fituan të drejtën e një goditje këndi, që ekzekutohet nga Hodo dhe Bakiu i vëmendëshëm që i shpëton mbrojtjes fierake me zgjuarsi, fines e saktësi gjuan dhe e dërgon topin në rrjetë që në 2’. Fierakëve u mungoi qetësia, e mbi të gjitha lojtari organizator, pasi braziliani Da Silva në këtë ndeshje është “hija e vetvetes”. Megjithatë 1’ më pas Junior i ka të gjitha mundësitë për të barazuar rezultatin, por topi i gjuajtur prej tij vetëm sa qeth traun e portës së portierit Egbo. Pjesa e dytë filloi më e mirë dhe më e vrullshme për ekipin fierak që kërkoi me insistim barazimi e rezultatit. Ballshiotët me qetësinë dhe saktësinë ditën ta menaxhojnë mirë rezultatin dhe pavarësisht nga epërsia në lojë e miqve ata nuk lejua prekjen e rrjetës deri në përfundim të ndeshjes.

RENDITJA

1 TIRANA    18
2 BESA    14
3 DINAMO    13
4 VLLAZNIA    12
5 SHKUMBINI    12
6 TEUTA    12
7 ELBASANI    12
8 FLAMURTARI    10
9 APOLONIA    8
10 BYLIS    8
11 LUSHNJA    6
12 PARTIZANI    5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›