Gol “alla Toti”, Salihi s’u beson syve
Hamdi Salihi ka rigjetur golin në kampionatin austriak, ndonëse pohon se nuk është rikuperuar plotësisht. Kundër Austrisë së Vjenës ka bërë një nga golat e tij më të bukur gjatë kohës që luan me Riedin. Menjëherë pas takimit që skuadra e tij fitoi 3-1, kanë vërshuar mesazhe urimi pa fund për bomberin shkodran. Në një pronocim për të dhënë për “Panorama”, ai ka thënë se shpreson që të ketë mbaruar periudha e vështirë e dëmtimit. “As vetë nuk e besoj se si shënova në këtë ndeshje. Nuk e prisja që të aktivizohesha, pasi vetëm dy ditë kam që stërvitem me skuadrën. U befasova kur trajneri më tha që të futesha në lojë. Ishim duke fituar dhe po luaja lirshëm. Një nga shokët e skuadrës më dha një pasim perfekt në afërsi të zonës së rreptësisë dhe kur pashë që portieri kundërshtar kishte dalë shumë përpara, vendosa të gjuaja në formë parabole, duke e ngritur topin. Funksionoi dhe arrita të shënoja një gol shumë të bukur. Ndoshta golin më të bukur gjatë kohës që luaj me Riedin”. Më pas Salihi shton: “Edhe kur luajta në këtë ndeshje, kisha disa shqetësime, por besoj se deri në fund të javës tjetër gjithçka do të jetë në rregull, sepse rikuperimi deri tani ka ecur mjaft mirë”.