E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa-Vllaznia, sot sfidaqë vlen sa gjithë sezoni

TIRANE-Besa dhe Vllaznia diskutojnë sot në mbrëmje trofeun e parë sezonal në Shqipëri. Nën drejtimin e sllovenit Darko Ceferin do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, e cila pritet të mbushë si rrallëherë stadiumin "Qemal Stafa", me të paktën 12 mijë tifozë që do të vijnë nga Kavaja dhe Shkodra. Vllaznia, bashkë me drejtuesit më të lartë të klubit, ka udhëtuar që mbrëmë drejt Tiranës, ku do të qëndrojë në pritje të startit të ndeshjes, ndërkohë që Besa është grumbulluar në Golem dhe do të vijë vetëm sot në kryeqytet. Në të dy kampet mbizotëron optimizmi për triumf, duke e quajtur ndeshjen më të rëndësishmen e këtij sezoni. "Ne arritëm të fitonim një trofe 3 vjet më parë dhe ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm, pasi ishte hera e parë që Kupa vinte në qytetin tonë, - deklaroi dje presidenti i Besës Nexhat Bizhdili. BESA Dje, trajneri i Besës Shpëtim Duro u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për finalen. Ai ka zhvilluar një seancë të shkurtër stërvitore, më së shumti relaksuese, ndërsa në fund të saj është luajtur edhe një ndeshje stërvitore midis titullarëve dhe lojtarëve të stolit. Mbas kësaj, ekipi kavajas është akomoduar në një nga hotelet luksoze në plazhin e Golemit ku ka kaluar edhe natën e mbrëmshme.

Presidenti Bizhdili ka qëndruar gjithë kohës pranë ekipit dhe në një deklaratë të dhënë dje është shprehur se fitorja do të jetë e kavajasve. "Kemi një shans mjaft të mirë për të fituar një tjetër trofe dhe për ta pasuruar akoma dhe më shumë koleksionin tonë me kupa. Kam besim se historia do të përsëritet dhe Kupa do të vijë sërish në Kavajë. E respektoj Vllazninë, por do të dëshiroja që të luanim në sulm dhe të dhurojmë spektakël e gola", tha Bizhdili. E në fakt, trajneri Duro ka bërë të ditur se do të luajë me tre sulmues Xhafaj-Sinani- Mancaku. VLLAZNIA Edhe në kampin e Vllaznisë, optimizmi duket në maksim përpara betejës së sotme. Trajneri Edi Martini nuk ka preferuar të flasë për mediat përpara finales, ndërkohë që gjithçka ka marrë fund përsa i përket formacionit. Kështu, ka marrë fund dilema nëse në portë do të jetë apo jo Grima ka marrë fund, pasi portieri veteran dëshiron të jetë patjetër në fushë. Skema do të jetë një 4-4-2 e pastër, me Bekim Balën e Sead Haxhibuliç që do të përbëjnë repartin e sulmit. Ndërkohë, në mbrojtje do të luajnë Osja, Kraja, Rajoviç dhe Smajli. çudia e Martinit është hedhja nga minuta e parë në mesfushë e anglezit Xhejms Feniks, ndërkohë që tre lojtarët e tjerë të këtij reparti janë Nallbani, Belisha dhe Shtubina.
(A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›