E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa bazohet te ‘garda e vjetër’

Besa do të bazohet te ‘garda e vjetër’ në pranverë. Trajneri Miftar Rama ka kërkuar nga kryesia e klubit 9 përforcime, emrat e të cilëve ia ka prezantuar kësaj të fundit. Përpos shtatë futbollistëve pejanë, prej tyre edhe heroi i bardh e kuqve, Ilir Nallbani, ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit mund t’i angazhojë edhe Leonit Abazin e Dritës dhe Arian Jasiqin e Vëllaznimit.

Besa është njëra prej skuadrave më aktive në afatin kalimtar të janarit. Skuadra pejane synon të përforcohet me nëntë futbollistë gjatë pushimit dimëror, me synimin që gjatë pranverës të ketë pamje tjetër.

Pjesa dërrmuese e tyre do të jenë nga ‘garda e vjetër’ pejane, e cila vite më parë kishte fituar tituj të kampionit të Kosovës. Trajneri Miftar Rama ia ka dërguar kryesisë së klubit listën e lojtarëve që i dëshiron dhe pret përgjigje nga ta deri të premten.

Pasi ka arritur pothuajse marrëveshje me katër lojtarët pejanë të Deçanit, Mensur Duraku, Fisnik Gashi, Krenar Vokshi e Fisnik Papuçi, ekipi pejan mund ta rikthejë edhe mesfushorin e Ferronikelit, Dukagjin Gashi dhe atë të Vllaznisë së Shkodrës, Ilir Nallbani.

“Unë ia kam dhënë kryesisë listën e lojtarëve që dua t’i kem në ekip dhe pres përgjigje nga ta deri të premten. Atë ditë planifikoj ta kem listën e lojtarëve që do t’i kem në dispozicion në pranverë”, u shpreh trajneri Rama.

Sulmuesi Fetim Kasapi, i cili së fundmi ka luajtur në Mal të Zi, përkatësisht në ekipin Çelik të Nikshiqit, është po ashtu dëshirë e Ramës. Përpos futbollistëve pejanë, ky i fundit e kërkon edhe mesfushorin e Dritës, Leonit Abazi dhe atë të Vëllaznimit, Arian Jasiqi.

Rama paralajmëroi se kontratat që do të nënshkruhen do të jenë afatgjate. Ai pret një sezon pranveror pozitiv të Besës. “Sigurisht, do të jemi më mirë në pranverë. E sezonin tjetër mund të luftojmë edhe për titull të kampionit dhe për kupë”, përfundoi Rama.

Besa e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e tetë me 21 pikë të grumbulluara, vetëm 5 më shumë se ekipet e rrezikuara për të rënë nga Superliga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›