Tituj, para rekordeve
Lionel Messi insistoi se rekordi i tij prej 86 golave brenda këtij viti nuk do të ketë kurrfarë rëndësie, nëse Barcelona nuk fiton titullin e kampionit në La Liga ose trofeun e Ligës së Kampionëve.
Ylli argjentinas shkroi emrin e tij në librat e historisë duke tejkaluar legjendën gjermane Gerd Muller, i cili shënoi 85 herë më 1972 për Bayern Munichun dhe Gjermaninë Perëndimore. Kurse, Messi me dy golat në fitoren 2-1 ndaj Real Betisit të dielën e theu rekordin e gjermanit. Por, 25 vjeçari ka theksuar se më shumë dëshiron të fitojë tituj se sa të regjistrojë rekorde.
“E kam thënë edhe më parë, është mirë të thyeni rekorde, por fitorja e ekipit ka rëndësi më të madhe dhe dallimi i pikëve në krye”, deklaroi Messi derisa Barcelona ruajti epërsinë prej gjashtë pikëve ndaj Atletico Madridit dhe 11 mbi Real Madridin.
“Synimi im është fitimi i titujve, jo rekordet personale”, shtoi ai. Messit nuk iu nevojit shumë për të barazuar rekordin e Mullerit. Ai e kaloi Barcelonën në epërsi pas 16 minutave lojë duke bërë një depërtim diagonal, të cilin e finalizoi me një goditje me të majtën që përfundoi në këndin e djathtë të portës. Kurse, momenti historik erdhi nëntë minuta më vonë kur ai qëlloi nga pothuajse e njëjta pozitë pas një aksioni të bukur nga Adriano dhe Andres Iniesta.
“Objektivi im në fillim të sezonit ishte të fitojmë një tjetër titull në La Liga”, theksoi Messi, i cili është i dominuar për çmimin e katërt të njëpasnjëshëm Topi i Artë. Në konkurrencë, Messi është me bashkëlojtari Andres Iniesta dhe rivalin nga Real Madridit, Cristiano Ronaldo. “Nëse fiton Iniesta, do të ishte më se e merituar për atë që ka bërë, për mënyrën si luan. Sërish, do të ishte çmim për ekipin”, përfundoi Messi.
Muller uron Messin
Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, pas 40 vjetësh ka "rrëzuar nga froni" dhe ka thyer rekordin e legjendës gjermane, Gerd Muller. Me dygolëshin e së dielës mbrëma, në fitoren e arritur nga katalanasit në fushën e Betisit, me rezultatin 2-1, tri herë radhazi fituesi i "Topit të Artë" ka arritur në kuotën e 86 golave të realizuar kundrejt 85 të Muller në vitin 1972.
Duke folur për mediet gjermane, mbajtësi i këtij rekordi deri të dielën mbrëma, Gerd Muller, ka thënë se ndihet i lumtur që pikërisht një lojtar i nivelit të lartë, si Messi, e ka thyer rekordin e tij.
Legjenda gjermane e futbollit e ka konsideruar sulmuesin argjentinas si lojtarin më të mirë në botë. "Jam shumë i lumtur që një futbollist si Lionel Messi arriti ta thyejë rekordin tim. Sigurisht, ai e ka merituar këtë, pasi është lojtari më i mirë në botë. Mesi, sigurisht që do të shënojë edhe më shumë gola deri në fund të vitit, ndaj me plot gojën e them: ai është më i miri", ka pohuar Muller.