Besa gjen golin në Durrës, jo fitoren
Besa nuk arrin më shumë se barazimi 1-1 në "Niko Dovana" të Durrësit përballë Teutës. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro vazhdon periudhën negative, duke e rritur në katër numrin e ndeshjeve pa fitore (2 barazime dhe 2 humbje). Triumfi i fundit në kampionat është regjistruar mbi një muaj më parë, 1-0 në javën e 7-të përballë Flamurtarit. Pas rezultatit të djeshëm, kavajasit ruajnë vendin e dytë në klasifikim, por tashmë e shohin veten me 10 pikë të distancuar nga Dinamo kryesuese. Në minutën e 49-të të ndeshjes, Besa e ka parë veten në disavantazh, pas golit të Miles, ndërkohë që gjatë fraksionit të parë kishin shpërdoruar disa raste të mira për shënim me Daniel Xhafën dhe Bledar Mancakun. Për të risjellë baraspeshën është dashur devijimi me kokë i mbrojtësit Alban Dragusha, i cili ka përfituar edhe nga dalja e pastudiuar e portierit Vashaku. Edhe pse kanë qenë më të organizuar në fushën e lojës, verdhezinjtë vazhdojnë të shfaqin probleme në fazën ofensive. Ata kanë shënuar vetëm një gol (pikërisht ai i djeshmi) në katër sfidat e fundit, ndërsa vazhdojnë të kenë sulmin e dytë më të keq të kampionatit së bashku me Flamurtarin. Me tetë gola në 990 minuta, Besa dhe skuadra vlonjate kanë lënë mbrapa vetëm Gramozin dhe Vllazninë, të cilat kanë realizuar 6 gola në 11 takime. Mesatarja e të besuarve të Duros rreth efikasitetit përpara portës ende nuk është ngritur në nivelet e një pretendenteje: 0.7 gola në ndeshje janë shumë pak në krahasim me Dinamon (1.9).
e. k.
e. k.