E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria në tre pamje

Para pak ditësh doli në qarkullim romani "Melodia e engjëllit blu", i autores Kristina Hita, një libër me mjaft interes, sidomos për moshën rinore. Është libri i saj i parë jo vetëm si prozë, por në të gjitha kuptimet. Kjo rrethanë e të qenit libri i parë, ndoshta përbën edhe një pengesë serioze për ta lexuar me dëshirë dhe sidomos për ta pranuar mendimin se kemi të bëjmë me një krijuese të vërtetë, në kuptimin e parë të kësaj fjale. Fakti që unë e kam shoqe klase, pra që ndajmë çdo ditë shqetësimet e moshës dhe të mësimeve, bëri që unë ta lexoj me një frymë dhe me një ankth gati të parrëfyeshëm. Natyrisht që e lexova me dëshirë, sepse më pëlqeu shumë, më bëri krejtësisht për vete për ngjarjet e ndryshme që paraqet, për vizatimin e hollësishëm të personazheve, po ashtu edhe për episodet e shumta, të cilat kanë një lëvizje të brendshme, ashtu si valët e trazuara në thellësi të detit. Megjithatë, ky roman, psikologjik dhe rinor, nëse do të përpiqeshim që të përcaktonim tipin e tij, është i bukur dhe i veçantë sepse ka vënë në qendër dashurinë, ndjenjën më të bukur që përjeton njeriu, gjatë gjithë kohërave të ekzistencës së vet, por njëherësh edhe asaj fryme që e mban në jetë dhe i jep kuptim qenies njerëzore. Dashuria, filli kryesor i librit të autores, vjen në tri pamje të ndryshme dhe tepër interesante:

E para: Pamja që paraqitet në fillim nga autorja në faqet e këtij romani është dashuria e dy të rinjve, përkatësisht e Danielit dhe Viselës, e cila pavarësisht pengesave, vështirësive dhe armiqësisë absurde midis familjeve të tyre, gjithnjë shpërthen filiza të ngrohtë dhe forcohet çdo ditë e më tepër. Por fati i keq arrin që t‘i ndajë këta dy "pëllumba" të dashurisë së parë. Prekja e problemit të mospranimit të dashurisë nga ana e familjeve të tyre tregon për vëmendjen e autores për t‘u marrë me problematika të mprehta të shoqërisë shqiptare në këtë kohë dhe sidomos të ndëshkimit të rinisë dhe dashurisë së pastër prej kohës dhe shoqërisë paradoksale.

E dyta: Pamja e dytë e ndjenjës së dashurisë, natyrisht si ide dhe vizion i qartë i autores së librit, tashmë sjell në skenë dashurinë midis Edit dhe Meit. Kjo anë e së dytës pamje të dashurisë, këtu paraqitet si një ndjenjë ideale dhe e pastër, madje dhe krejt e përsosur, ku shpesh ndërthuret edhe miqësia, si një ndjesi që prek dhe nxit lidhjet e njeriut me mjedisin përqark. Mei vetësakrifikohet, me dëshirë dhe ndërgjegje, duke i hapur rrugën shoqes së saj, Elës. Në fakt, të paktën siç e mendoj unë, do të dëshiroja që kjo lidhje të vazhdonte, sepse ishte e pastër dhe e fortë. E të heqësh dorë nga një dashuri e tillë është njësoj sikur të mos marrësh frymë. Së fundmi: Shfaqet, e plotë dhe me dritë, para lexuesit pamja e tretë e dashurisë, ku zbulojmë dashurinë "e çmendur" të Rajmondit dhe Xhulias, të cilët sa herë që takohen dhe prekin dashurinë, ndjenjën që ua ka zbukuruar jetën, enkas ata i sfidojnë ankthin dhe frikërat e tyre nga më të çuditshmet, që ndodh që t‘ua zënë udhën. Dashuria e tretë, gjithnjë sipas tekstit dhe episodeve të romanit të parë, është më e pëlqyera nga autorja. Kjo duket edhe nga fakti domethënës se janë i vetmi çift, që përfundojnë bashkë, pra që e realizojnë dashurinë e tyre, mbase edhe në rrethana absurde, sipas një mentaliteti të kohës dhe të shoqërisë sonë. Në krahasim me dy historitë e tjera, ku vizatohet dashuria në dy pamje, këtu mbizotëron aventura dhe humori, të cilat çuditërisht e mbajnë të ndezur ndjenjën e dashurisë midis dy personazheve.

Këto histori dashurie, reale dhe imagjinare, që zbulojnë përpara nesh si lexues tre pamje dhe tre mistere të ndryshme të marrëdhënies më të bukur të dy njerëzve, tregojnë se autorja, me qëllim dhe funksion të paracaktuar, ka vënë në epiqendër të romanit, botën e adoleshentit, të vajzave dhe djemve, që vlojnë nga dëshira e madhe për ta jetuar jetën. Bota e adoleshencës, padyshim pjesa më e bukur e jetës së njeriut, një univers të cilin ne e jetojmë, por shpesh kalojmë nëpër të edhe pa e kuptuar plotësisht. Diçka tjetër që më tërheq shumë nga faqet e këtij romani, të realizuar mirë si kompozicion dhe subjekt, si rrjedhë e ndodhive dhe shprehësi letrare, është se aty shpërfaqen edhe elemente të tjera të veçanta si: formula e jetës, një gjetje dhe detaj artistik, krejt imagjinar. Formula e jetës, gjithsesi sipas idesë së autores, kishte një vlerë të jashtëzakonshme, pasi mund të ringjallte të vdekurit dhe mund të bënte të pavdekshëm njerëzit, që të shpie tek një poetikë e këngëve gojore që kemi parë në folklor. Gjetja e kësaj formule, si të thuash dhënia e përgjigjes, ishte dhe shkaku i madh i armiqësisë së familjes së Danielit dhe asaj të Viselës. Formula e jetës, sipas sugjerimit të tekstit të këtij romani, vepron atëherë kur janë të shprehura në nivelin më të lartë dashuria, dhimbja dhe urrejtja, tri ndjenjat më tronditëse dhe frymëdhënëse të jetës së njeriut. Ky roman, i shkruar me pasion dhe vrull, është mjaft interesant dhe i skicuar bukur artistikisht, pasi në shumicën e elementëve të vet, del nga kornizat e klasikes dhe skemave të zakonshme, duke ndërthurur elementët realë me elementët fantastiko-shkencorë, si dhe nuk ka një fund të lumtur (happy end), të cilën e ndeshim në prozën e tanishme. Pra, autorja me anën e këtij romani, të shkruar bukur dhe me ndjenjë, na jep një mesazh shumë të rëndësishëm për njeriun, e sidomos për adoleshentët: Jeta është një luftë që duhet fituar çdo ditë, por edhe nëse humbet diçka nga kjo betejë, përsëri duhet të jesh krenar, që ke qenë pjesë e kësaj lufte. Ky libër, me formën dhe magjinë artistike që përcjell, tregon dhe zbulon aftësitë krijuese të autores, Kristina Hita, por njëherësh është një shtysë dhe urim i përzemërt, që ajo të shkruajë libra edhe më të bukur. Jam e bindur për këtë. Koha si matësi më i mirë do të na dëshmojë se çfarë vlerash të tjera ka për të na dhuruar autorja.

Blerta Gjoka
Gjimnazi
"Petro Nini Luarasi"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›