"Mirandolina" josh kryeqytetin
Brenda mureve të një bujtine gjallon shumë jetë. Pasion, joshje, muzikë, të qeshura, xhevahire...Mirandolina apo e "Zonja e Bujtinës" e Carlo Goldon-it ka zbritur në Teatrin e Metropolit. Komedia e prezantuar në skenat më të njohura të botës, është premiera që ka çelur sezonin e këtij teatri. Nën regjinë e Hervin Çulit dhe interpretimin e një kasti me aktorë profesionistë e të rinj, "E zonja e Bujtinës" ka shënuar një numër të madh spektatorësh. Batuta, muzikë, këngë dhe shumë të qeshura. Për më shumë se 2 orë e 20 minuta publiku ka ndjekur këtë shfaqje të joshjes femërore, simbol i së cilës në këtë rast është e zonja e bujtinës, Mirandolina. Nën petkat e saj, Eni Jani ka portretizuar figurën e gruas së shekujve të shkuar, asaj që ndez e bën të vuajë zemra, pas së cilës dashurohen kontë e markezë, deri edhe tek ai më i serti. Mirandolina-Eni Jani arriti të mbajë gjallë komedinë me një lojë ku spikati eleganca, plastika dhe mençuria në zgjidhjet që sjell pushteti i hireve të bukurisë femërore. Konsideruar si një shembull tipik i komedisë së karakterit Mirandolina, ose "E Zonja e Bujtinës" na zbulon mjeshtren e joshjes dashurore me meshkujt. Në këtë komedi, në një zgjidhje të menduar nga regjisori, na vjen një Mirandolinë sensuale, një zonjë e cila di të menaxhojë një bujtinë dhe me zgjuarsi di të tërhiqet në momentin e duhur, kur meshkujt i bëjnë korte, një shembull pozitiv i femrës, por jo më pak e vendosur dhe e aftë të arrijë gjithçka që dëshiron. Por ajo nuk mbetet vetëm këtu. Personazhi i saj rrezikon të prekë edhe personazhet e tjerë të komedisë, sepse nëpërmjet saj, Goldoni shënon një rol të dyfishtë të joshjes femërore, duke e zhvendosur te personazhe si Ortencia (Adelina Muça) dhe Dejanira (Ermonela Alikaj) , gjë që ndodh jo vetëm në përballjen me këta personazhe, por njëherësh edhe në përballjen me aktorët. Nuk mundet të kalojë pa u vënë re personazhi simpatik i Kalorësit, interpretuar me mjeshtëri të lartë nga aktori Fatos Sela. Një personazh dyplanësh, që të befason me ‘naivitetin‘ e figurës që ngjit në skenë. Tallës fillimisht ndaj markezit të Forlipopolit, (Arben Spahija) dhe kontit të rënë nga vafti (Genc Fuga), ai vet bie në joshjen e fustanit të Mirandolinës. Kalorësi, i cili me batutën dhe të gjithë potencialin e tij artistik e zotëron dialogun, por nuk arrin të zotërojë joshjen dhe turbullimin seksual. Gjetje dhe detaje të figurës duket se rrinë mirë në staturën e artistit të njohur, Fatos Sela. Kjo komedi, një vepër e pavdekshme e Goldonit, njëra nga më të njohurat në të gjitha skenat botërore, ka qenë një pikë e fortë për të kuptuar krijimtarinë e autorit dhe forcën e krijimit të karaktereve. Interesantë në lojën e tyre edhe çifti i damave Ortensia-Dejanira, interpretuar nga Adelina Muça dhe Ermonela Alikaj, si dhe Fabricio-Gent Deçka. I zhdërvjellët në interpretimin skenik edhe Konti i Forlipopolit (Genc Fuga), me gjetje dhe detaje që e detyrojnë shpeshherë sallën të shpërthejë në të qeshura, edhe pa batutën e personazhit. Në të njëjtin regjistër qëndron edhe markezi (Arben Spahia), që në fillin e përgjithshëm të komedisë solli emocione të veçanta në momente të situatës dhe të lojës në grup. Shkodrançja e shqiptuar prej tij, u duartrokit nga spektatori dhe duket se nuk e rrezikonte Goldonin e vitit 1751. Dikur Goldoni tentoi të justifikonte moralisht komedinë e tij, duke u shprehur se e kishte shkruar për të ndihmuar meshkujt, që të mos binin pre e joshjes femërore. Por në të vërtetë arti i Mirandolinës shkon më larg se kaq, sepse ai nuk përshkruan kufijtë e moralit, por mbetet një lojë e bukur, e vështirë, ndonjëherë e rrezikshme, por shpesh e këndshme dhe plot atmosferë. Në thelb ajo mbetet një grua e ndershme dhe pozitive, që duhet të punojë për të çuar përpara bujtinën e saj dhe jo të humbasë te fantazma e lojës së joshjes feminile. I ati, në momentet e fundit të jetës së tij ka ndërhyrë në martesën e saj me një kamerier të bujtinës, i cili do të jetë njëkohësisht dhe kolegu i saj i punës. Në fund ajo do të martohet me Fabricion, do të hyjë në rrethet borgjeze, por për momentin mbetet vetëm një Dea hyjnore, e rrethuar nga dashuria, pasioni, xhelozia, një luftë e përditshme, me të cilën Goldon kujton të kaluarën e rinisë së tij. "Mirandolina" e Hervin Çulit, ndihmuar nga asistentja Teuta Resuli, kostumografja e skenografja Herolinda Koçllari, shfaqet çdo të enjte, të premte dhe të shtunë në Teatrin e Metropolit, ora 20.00.