E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ku je?" Titulli i një brenge

Titulli i romanit "Ku je?" i Flutura Açkës duket si një pyetje e përbërë prej disa pyetjesh. Ku je liri e drejtësi? Ku je pyet nëna vajzën dhe vajza nënën; ku je e pyet djali të dashurën dhe ajo të dashurin; ku je pyet miku mikun dhe mikja miken. Kjo pyetje të rrëqeth se të tingëllon si "Kuje". Dhe atëherë ishte koha e kujeve therëse, e kujeve të llojllojshme. Dhe pena e Flutura Açkës prek çdo qelizë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, si një bisturi në plagën kanceroze të saj. "Ku je?" është roman i gjatë që mbarohet me një frymë, sado ngadalë ta lexosh. Roman që të nxit ta rilexosh, të bën t‘i kthehesh prapë e prapë atyre frazave të figurshme, paragrafëve aq bukur përshkrues. Është shtjella e trishtë, filozofike e Flutura Açkës që të pështjell e të cyt ta përfundosh e pastaj ta rilexosh me po aq kërshëri, ëndje e pëlqim. Nuk nginjesh së kënaquri nga ajo bukuri tërheqëse, mahnitëse dhe nga forca tronditëse e këtij romani sa njerëzor aq dhe shpërthyes, që çan dhe thërrmon bunkerizimin. E pëlqejmë për hir të asaj vërtetësie të pamohueshme, të pakundërshtueshme, të padyshimtë, si edhe të asaj mrekullie frymëndalëse që ka romani. E pëlqejmë për hir të asaj shumësie marramendëse personazhesh dhe figurash shprehëse, domethënëse; për hir të atij lëndimi e asaj dhembshurie që përmban; për hir të atij burimi të vrullshëm mirësie dhe dashuri që e përshkon."Ku je?" është roman rrëqethës për gjithë shqiptarët kudo në botë; roman befasues për gjithë njerëzit, kudo në botë. Është një "skaner" i shumë vragave që përbënin atë plagë të stërmadhe diktature. Roman që e celfis atë diktaturë, që i lëndon vuajtësit dhe u njofton brezave për atë që diku-diku ende mbanin erë. Shumë lexues do të përmbyten nga lotët e ngashërimit, por vuajtësit do të ngushëllohen disi, por pakëve do t‘u paqëtohen shpirtrat. Të rinjtë ndoshta nuk do ta besojnë absurditetin. Ky roman është kundër harresës. Disa i bën të turpërohen, nëse u ka mbetur një fije turpi; disave u nxit zemërimin, ngaqë nuk ndjejnë turp; pun‘ e madhe! Gjersa nuk u dënuan sa duhej dhe si e meritonin, së paku u bëhet një ndëshkim në këtë roman, atyre që nuk kanë pendesë, si atëherë kur nuk kishin drejtësi, keqardhje, mëshirë. Shumë do të jenë mirënjohës që dikush u kujtua t‘ua përshkruajë brengën dhe do ta falënderojnë Flutura Açkën që kreu një detyrë shoqërore fisnike, plotësoi një shërbim kombëtar të domosdoshëm. Roman-shuplakë për ata që nuk e dhanë drejtësinë. Roman-ofshamë për ata që nuk ua dhanë drejtësinë. Roman-kuje për ata që humbën e nuk ua kthyen drejtësinë.

** ***

Romani ka disa portrete, disa personazhe që, të gjithë bashkë, përbëjnë apo "përfaqësojnë" atë kohë, atë ekzistencë. Ishin të ndryshëm në një bashkësi tmerri e torture. Nuk ishin jetë paralele por të ndërthurura si një cergë merimange, jetë karakteresh të ngecur në kurthin e merimangës që u kishte thurur shteti i tyre. Të gjithë i kishin vënë drynin fjalëve dhe zemrave; të gjithë qenë vuvosur dhe verbuar. Dhunimi i një diktature u kishte ngrirë gjuhën dhe buzëqeshjen, u kishte vagulluar vështrimin, madje egërsia e atij dhunimi kishte verbuar vetë drejtësinë dhe vdekjen. Tani ajo nuk zgjidhte, por mblidhte ata/ato që diktatura i hidhte në një varr të humbur, të paditur se ku, në relievin e gungosur dhe përçudnuar të atdheut të tyre nga çibanë bunkerësh dhe burgjesh. Të gjithë duhej të harronin dhe të heshtnin zemëratën ndaj "njeringrënësit". Nuk është vetëm jeta e një personazhi. Nuk është vetëm lufta e një vajze me vdekjen, por edhe lufta e shumëve për të mbijetuar, ose thjesht për të ekzistuar në zymtësinë e krimit, në ngricat e frikës, në baltrat e padrejtësive. Nuk është vetëm jeta e një vajze pa vajzëri, e ndëshkuar nga regjimi dhe nga vdekja, por është edhe jeta e piktorëve, skulptorëve dhe e aktorëve, jeta në masë e punëtorëve dhe fshatarëve, njësoj të përndjekur, njësoj të ndëshkuar. Ishte bota e ngrysur e atyre që e shkruanin protestën në pafjalësinë e arnave dhe plagëve; ishte koha kur heshtja i jepte zë vuajtjes dhe shëmtimit. IRA quhej. Ajo e mbushte jetën me dashuri, kur të tjerët, përveç sëmundjes, ia helmonin atë. Ishte vajzë me paqe të vërtetë në zemër dhe me paqe të përsosur në shpirt. E kontrolluar dhe e vëzhguar deri në frymëmarrje, deri në heshtjen e saj. Tepër e re për aq vuajtje, për aq heshtje. I mbushte edhe të tjerët me dashuri. Por ishte koha kur edhe kjo ndjenjë fisnike u shkaktonte po aq dhimbje sa vetë ajo sëmundje e pandalshme. Një miqësi apo dashuri e shprehur ndaj saj, kthehej në rrënim. Një e ndëshkuar nuk mund të sillte mbarësi, as mikeshës-aktore. Nga që kishin shumë gjëra të njëjta, të përbashkëta në atë mizori, nuk mund të ndaheshin së gjalli. Të njëjtin fat u pat caktuar shteti dhe sëmundja. Dhe jo rastësisht ditari iu dorëzua asaj mikeshe besnike. Çfarë dashurie e dhimbje kishte ai ditar i asaj njomëzakeje, u mësua vonë. U mësua se çfarë shpirti të bukur kishte ajo vajzë që nuk e njohu kurrë bukurinë e jetës. Ato faqe ditari nuk do të mbushnin dot humnerën që i qe hapur një nëne. NËNA, një nënë fatzezë, e vetmuar, e braktisur. Çfarë i kishte mbetur asaj nëne, me burrë të burgosur dhe me vajzë të varrosur, veçse të frymonte mes frymëtarëve të degdisur, veçse të bindej se ajo copë kohe për shqiptarët ishte periudha e vdekjes. Çfarë mund të bënte veçse të mendonte se vdekja e kishte harruar, thjesht për ta lënë në atë dhimbje të tejzgjatur. Në shtrojën e trurit dhe në penjëzat e zemrës ndjente ftohtësinë e vetmisë dhe të heshtjes. Çfarë i mbetej tjetër veçse të pyeste veten nëse e bija kishte pasur ndonjë brengë të fundit. Ndonjë? Jo, ajo kishte një mal me brenga e me pengje. E bija pat vdekur pikërisht nën atë mal. E bija ishte shumë e brishtë për ta mbajtur e duruar atë peshë. Lulet e pësojnë të parat. AKTORJA. Sigurisht tejet e bukur, tejet e ndjeshme, me sy të përlotur në skenë dhe në jetë. Ata lot iu mblodhën në shpirt, në zemër dhe u kthyen në një ngashërim të mbytur ditën që humbi lirinë. Pengjet e brengat, po shtoheshin e shumoheshin. Edhe nëna e saj do të niste rrugët e kërkimit në degdisjen pa e ditur se ku do ta gjente bijën e saj, në ç‘burg, në ç‘kamp a në ç‘humbëtirë qe vërvitur, nga cili gjyq, a ndoshta fare pa gjyq. Sa shumë qenë shtrirë e zgjatur ata zinxhirë jetëmarrës, në atë hapësirë të mbyllur, të rrethuar, të zymtë të vendit të saj, që mjeronte dhimbshëm. Ishte njeri me zemër, aktore yll në skenë, në jetë mikeshë e dashur e besnike. Mike me armikun. Prandaj e pësoi. Shkeli mbi armikun-ligj që nuk dihet ku dhe si e ndëshkoi. Dashuri dhe miqësi e ndaluar. Ishte një shtet që të ndalonte ta nderoje miken në gjallje e në vdekje, madje edhe në varrosje. Sepse ta merrte lirinë e jetën sapo dilje nga varrezat, ashtu si ndodhi me atë aktore-yll në skenë, mikeshë e patrandur në jetë, bashkëvuajtëse nga e njëjta sëmundje, të ndëshkuara nga i njëjti paligj. PIKTORI. Një piktor i përndjekur kërkon gjurmët e fshira në hapësirat e një qyteti të burgosur, të një piktori tjetër, i humbur në mbylljen e tij nga një regjim izolues. Ky piktor i përgjuar kërkon gjurmët e fshira të mikut, në ato hapësira të copëtuara e të rrethuara nga një heshtje frike. Çdo heshtje kishte më pas një varr të humbur. Çdo frikë kishte një kërcënim të fshehur diku. Ku ta gjente atë varr të mikut, kur varre të tillë qenë shtuar aq shumë. Dhe të gjithë të paditur. Mallkimi i thershëm: të hubtë varri! Ky piktor mjeran kërkon një mik piktor që sfidoi të pavlerët e diktaturës, atë që guxoi t‘i jepte liri, hapësira e dinjitet vetes dhe artit, identitetit të vet. Më kot e kërkon atë rebel. Çdo gjëja e tij tashmë qe mbyllur në atë pajetësi të një varri të paemër, çdo gjë e tij ishte ende në hapësirat e brendavetes, në kujtesën e tij. Ëndrrat dhe dëshirat e atij talenti, e atij miku të çmuar, e atij që donte të dilte mbi ata ligje të përçudnuar, të atij që shihte përtej horizontit të telave të gardhit botëndarës, qenë fashitur, qenë fikatur e shpërbërë, ashtu si statuetat e tij prej balte që shiu i muzgut i shpërbëri e i shndërroi në llucë. Ato ishin statuetat e një piktori të dashuruar me të ndaluarën, statuetat e brengës e të mallit, statuetat e dashurisë dhe dhimbjes së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›