E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria i “prish” festën Kosovës



Shqipëria e futbollit fitoi 3-2 miqësoren me Kosovën, falë një goli në minutën e 93-të realizuar nga sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala, në prani të më shumë se 10 mijë shikuesve në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Prishtina” me rastin e dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bicaj, realizoi në minutën e 4-t golin e parë të Kombëtares “B” shqiptare, përpara se Shpëtim Hasani i IFK Norkoping të barazonte për Kosovën 15 minuta më pas. Anësori i Tiranës, Gjergji Muzaka, u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 31-të, duke i çuar dy skuadrat në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-1 të Shqipërisë. Në pjesën e dytë, trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, zëvendësoi Bekim Balën me sulmuesin e Flamurtarit, Odise Rroshi, për ta hedhur sërish në fushë shkodranin pas tridhjetë minutave, por kësaj radhe në vend të Emiljano Vilës së Dinamos.
Në minutën e 75-të Kosova realizoi golin e dytë me anë të Dukagjin Gashit të Drenicës, e kur dukej se miqësorja vëllazërore do të përfundonte në barazim, ishte Bekim Bala ai që në minutën e tretë shtesë realizoi golin e fitores për Shqipërinë.
Të ardhurat e biletave nga kjo ndeshje do të shkojnë në ndihmë të familjeve të përmbytura në zonën e Shkodrës.
BUNJAKI
Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki u nda i kënaqur me paraqitjen e të zgjedhurve të tij në këtë ndeshje, duke shpresuar që të ketë më shumë takime të tilla, në mënyrë që të krijojë një përfaqësuese sa më të fortë. “Para së gjithash karakteri i ndeshjes ishte i mirë dhe një moment i veçantë për ne të gjithë. Jam i kënaqur me atë që treguan futbollistët e mi, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes. U pa se motivimi për ta nuk mungon, ndoshta pak ishte i tepruar, por kjo për faktin se ishte e dëshira e madhe për lojë. E vlerësoj si ndeshje e rëndësishme për mua, pasi pata rastin t’i provoj të gjithë futbollistët. Shpresoj që më 28 Nëntor t’ia kthejmë Shqipërisë këtë nder dhe për këtë festë të luajmë një ndeshje në Shqipëri”, - deklaroi Bunjaki.
KUZHE
Trajneri i Kombëtares (B) të Shqipërisë, kroati Josip Kuzhe, vlerësoi ndeshjen kundër Kosovës, duke u shprehur me nota pozitive në lidhje me performancën e lojtarëve kosovarë.
“Erdhëm për të fituar këtë ndeshje dhe ia dolëm. Futbollistet e Kosovës treguan një angazhim të madh dhe pashë një ekip shume të mirë. Pas shtetit shpresoj të formoni edhe një ekip të fortë për të ardhmen”, - tha Kuzhe për mediat kosovare dhe shqiptare të pranishme në stadiumin e Prishtinës. Edhe trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, vlerësoi ndeshjen: “Ishte një lojë shumë e rëndësishme për mua sepse u informova mirë për të gjitha detajet e ekipit. Në aspektin fizik futbollistët e Shqipërisë ishin para nesh, por unë në përgjithësi jam i kënaqur me lojën tonë, sidomos atë në pjesën e dytë”. Sipas Kuzhes, atij i kishte pëlqyer shumë loja e kapitenit të Kosovës, Anel Raskaj (luan me Halmstadt në Suedi) dhe mbrojtësit të Hysit, Fisnik Papuqi

Kosovë-Shqipëri 2-3
Shënues: Hasani 19’, D. Gashi 75’/ Bicaj 4’, Muzaka 31’ (p), Bala 90’+3
Gjyqtarë: Hasani, Berisha, Miranaj; Këpuska
Kartonë të verdhë: Lila, Muça (Sh)
Shikues: 10 mijë

Kombëtarja: Një 10 për Presidentin Sejdiu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, u nderua me bluzën me numër 10 të Kombëtares së Shqipërisë e ku në të shkruhej emri i pasuesit të Ibrahim Rugovës në krye të shtetit më të ri në botë. Në pritje presidenciale në Prishtinë ishin të pranishëm nga delegacioni shqiptar i përbërë nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ferdinand Xhaferi, ambasadori shqiptar në Kosovë, Islam Lauka, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Fadil Vokrri: “Faleminderit Shqipëri!”

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadri Vokrri, një prej legjendave të futbollit kosovar, pohoi gjatë konferencës për shtyp, se përballja me Shqipërinë në ditën e dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ishte së pari një nderim i veçantë për të dy vendet, duke shpresuar në bashkëpunimin e thellë midis dy federatave. “Falënderoj Kombëtaren Shqiptare, e cila ishte këtu me ne për ta festuar së bashku Ditën e Pavarësisë. Bashkëpunimi me FSHF-në nuk ka munguar asnjëherë, dhe kjo u dëshmua edhe me këtë ndeshje miqësore. Shpresoj dhe besoj se në të ardhmen ky bashkëpunim do të intensifikohet dhe thellohet edhe më tej, në mënyrë që edhe futbolli i Kosovës të përparojë”, - theksoi Vokrri, i zgjedhur në krye të FFK-së, në shkurt të vitit 2008. Vokrri, një lojtar i Prishtinës së viteve 1980 (1980-1986, 172 ndeshje, 55 gola), është përfaqësuesi më i famshëm i Kosovës në kohën e ish-Republikës së Jugosllavisë, madje ka shënuar 6 gola në 12 ndeshje.

Duka: “Bashkëpunimi do të vazhdojë”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, e vlerësoi sfidën midis dy ekipeve kombëtare, të Kosovës e Shqipërisë, si një ndeshje me karakter thellësisht simbolik. “Jam i privilegjuar që sot jam me ju këtu për ta festuar së bashku Pavarësinë e Kosovës. Sa i përket ndeshjes, ajo ishte simbolike, dhe me këtë rast ju falënderoj që të ardhurat e fituara nga ndeshja do t’iu dedikohen familjeve të Shqipërisë Veriore. Bashkëpunimi ynë me Federatën e Futbollit të Kosovës ka qenë i hershëm dhe ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kështu që ne do të jemi gjithmonë përkrah jush”, - tha presidenti Duka, i cili është në krye të FSHF-së, qysh nga viti 2002.

Kuzhe: “Jam tifoz i flaktë i Kosovës”

Trajneri i Shqipërisë: “Jam i lumtur që sërish pas 22 vjetësh gjendem në Kosovë”

Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, një ish-lojtar i Dinamos së Zagrebit, nuk i fshehu emocionet në vizitën e tij të parë në Kosovë, e qe vjen pas jo pak, por pas 22 vitesh. Përpos lavdërimeve ndaj lojës së futbollistëve të Kosovës, trajneri i dytë kroat në historinë e Kombëtares shqiptare, veçoi dy momente. “Jam i lumtur që sërish pas 22 vjetësh gjendem në Kosovë, sidomos në një ditë si kjo, kur ju po festoni përvjetorin e Pavarësisë. Në aspektin emocional jam i nderuar që jam sërish këtu, ku kalova çaste shumë të mira. Ndërsa në aspektin profesional, jam i lumtur që këtu erdha si trajneri i Shqipërisë, marrë parasysh edhe karakterin humanitar të ndeshjes. Ju siguroj se unë do të jem një tifoz i flaktë i Kosovës, kur ajo do të luajë ndeshje ndërkombëtare”, - tha trajneri Josip Kuzhe, i cili do të drejtojë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, ku Kombëtarja jonë do të ketë përballë Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë e Luksemburgun. Më 19 shkurt do të stilohen në Luksemburg edhe datat e takimeve në grupin D.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›