S’e përjashtojnë Shkupin
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) nuk përjashtojnë mundësinë që ekipi kuqezi të zbarkojë në Shkup, pas rrënimit të stadiumit ‘Qemal Stafa’.
Lëvizja qytetare ‘Zgjohu’ të hënën kishte kërkuar nga kreu i FSHF’së, Armand Duka, që takimet e mbetura eliminatore për Euro 2012 t’i luajë në stadiumin e Shkupit ‘Filim II’ nëse dështojnë përpjekjet për t’i zhvilluar ndeshjet në Prishtinë.
Edhe pse ende nuk e kanë marrë këtë kërkesë, sekretari i përgjithshëm i FSHF’së, Eduard Prodani ka thënë se Shkupi do të mbetet alternativë e kuqezinjve nëse stadiumi i Prishtinës nuk arrin ta rregulloj infrastrukturën.
“Deri më tani nuk ka ardhur ndonjë kërkesë e tillë. E di se stadiumi i Shkupit i plotëson kushtet dhe nëse nuk luajmë në Tiranë, ne do të shikojmë që ndeshjet t’i zhvillojmë në zonat përreth ku ka shqiptarë, sepse qëllimi është që t’i kënaqim tifozët”, ka thënë Prodani për Express.
Ai ka treguar edhe një herë se FSHF’ja ka kërkuar nga drejtuesit e FC Prishtinës një raport për gjendjen e stadiumit të tyre, pasi janë të interesuar që t’i zhvillojë ndeshjet në Prishtinë, pas rrëzimit të stadiumit “Qemal Stafa”.
Por për të sjellë në Prishtinë, Kombëtaren shqiptare, Prodani është i vetëdijshëm se duhen investime në përmirësimin e infrastrukturës, gjegjësisht përmbushjes së standardeve për ndeshje ndërkombëtare që i kërkon UEFA dhe FIFA.
“Në radhë të parë ne do ta investigojmë stadiumin e Prishtinës, e më pas do të komunikojmë me FIFA’n e UEFA’n dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar ai.
Prishtina në aksion
Në anën tjetër, drejtuesit e FC Prishtinës, të martën u kanë dërguar institucioneve të Kosovës, kërkesën që ta mbështesin këtë klub në rregullimin e infrastrukturës, në mënyrë që t’i mundësojë Shqipërisë t’i zhvillojë ndeshjet në vendin tonë.
“Sot (të martën) e kemi dërguar kërkesën në të gjitha institucionet e Kosovës dhe presim që në një afat shumë të shkurtër do të marrim përgjigje. Besoj se më në fund, institucionet do të mendojnë për sportin, pasi ky është një rast historik që Shqipëria t’i luajë ndeshjet në Prishtinë derisa ta rregullojë stadiumin e tyre”, ka thënë për Express nënkryetari i bardhekaltërve, Afrim Muçiqi.
Franca do të luajë në Tiranë
Shqipëria ndeshjet si vendase në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012 do t’i zhvillojë më 2 shtator kundër Francës dhe më 11 tetor kundër përfaqësueses rumune. Prodani beson se kundër përfaqësueses franceze do të luajnë në ‘Qemal Stafa’.
“Besoj se me Francën do të luajmë në Tiranë. Këto janë planet, por të shohim se kur do të nisin punimet për ndërtimin e stadiumit të ri”, ka përfunduar sekretari i përgjithshëm i FSHF’së, Eduard Prodani.