Besa largohet me turp nga Intertoto

Besa-Grasshopers 0-3 në "Niko Dovana" dhe 1-5 rezultati i përgjithshëm në 180 minutat e turit të dytë të Kupës Intertoto. Bollëk golash për Grasshopersin, fituesin e Kupës Inrertoto të vitit 2006, e jo për Besën në aventurën e saj të parë në Kupën Intetoto. Kështu, pas kualifikimit të merituar kundër qipriotëve të Ethnikos Aknas, ëndrra e kavajasve për të realizuar kualifikimin historik në turin e tretë të një kompeticioni europian (e ka arritur vetëm Flamurtari) u shkërmoq në mënyrën më të turpshme brenda 45 minutave të pjesës së dytë, kur për miqtë realizuan Sabanovic (55' e 69') dhe Zuber në minutën e 86-të.
Takimi i shumëpritur për tifozerinë kavajase (numër i kënaqshëm në "Niko Dovana") u zhvillua në kushte të temperaturave ekstreme (37 gradë Celsius), teksa sipas rregullores skuadrat bënë edhe nga një pushim të detyruar dy minutësh në harkun e 45 minutave (në minutën e 22 të cdo pjese).
Besa prodhoi shumë pak në fushë, duke vuajtur edhe mungesën e një sulmuesi me përvojë si Artim Shaqiri, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë takim, pasi shqiptaro-maqedonas ka nënshkruar kohë më parë një kontratë në një klub Azerbajxhan, për të cilin do të luajë edhe Ramadani. Besa e nisi jo mirë takimin, duke i dhënë mundësi miqve që në në minutën e 5-të, mund të shënonin. Argjentinasi i Grasshopers, Zarate, rrezikoi portën e Besës, por portieri Suad Zendeli reagoi shumë mirë. Enkel Alikaj lëshoi një predhë në minutën e 12-të, duke rrezikuar seriozisht portën e Grasshopersit. Besa u tregua shumë e kujdesshme, duke pasur vetëm një sulmues të avancuar, Herbi Fortunat të mbështetur nga pesë mesfushorë, teksa Mancaku e Progni gjatë manovrës luanin rolin e sulmuesve të mirëfilltë.
Zvicerani Vero Salatic u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 27-të. Lila ndëshkohet me karton të verdhë në minutën e 33-të për një ndërhyrje të parregullt ndaj 22-vjecarit Senad Lulic, autorit të dy golave në ndeshjen e parë. Spanjollo-zvicerani Rikardo Kabanas ekzekutoi në të 34' një goditje të lirë nga reth 17 metra, por topi u përplas në murin e Besës, duke u devijuar në goditje këndi. Në të 36' Besa fitoi një goditje të lirë të ekzekutuar nga Enkel Alikaj, por topi i goditur nga 35 metra nga ish-lojtari i Dinamos grushtohet nga portieri Eldin Jakupovic, duke e devijuar në goditje këndi.
Grashopers për pak nuk shkaktoi një autogol në minutën e 40, kur spanjolli i zviceranëve Guilermo Valori devijoi me kokë në goditje kendi një gjuajtje të Mancakut. Minuta shumë të mira për Besën, por që nuk sollën golin e dëshiruar. Karton i verdhë për Kay Voser të Grasshopersin në të 44'. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Besa pati një mundësi për të realizuar, por pa rezultat. Karton i verdhë për Lecin në minutën e 46-të. Në të 47' Besa shpëtoi në mënyrë të mrekullueshme, kur Grasshopers goditi shtyllën e portës së mbrojtur nga Zendeli, i cili pati shumë pak punë, vetëm dy raste të Grasshopersit në minutën e 3-të dhe të 40-të.
Pjesa e dytë nisi me hedhjen në fushë të senegalezit Demba Toure të Grasshopersit, ndërkohë që trajneri i Besës, Iliran Haxhiaj nuk preferoi të bënte zëvendësime. Kabanas ekzekutoi edhe goditjen kendi në të 49', dhe kapiteni Zekeria Ramadani në tentativë për të larguar topin për pak nuk shkaktoi autogol, duke devijuar topin sërish në goditje këndi. Lojtari i përfaqësueses zvicerane Rikardo Kabanas ekzekutoi në të 53' një goditje të lirë nga 18 metra, por pa rrezikuar portën e Besës.
Malaziasi Samel Sabanovic goditi mjeshtërisht duke shënuar në minutën e 55-të golin e parë të Grashopersit, e të parin personal në këtë ndeshje. Një gol i dyshimtë, pasi Sabanovic dukej në pozicion jashtëloje. Malaziazi e hodhi topin në trekëndëshin e majtë të portës, duke i hequr cdo mundësi Zendelit për të bllokuar goditjen.
Në minutën e 58-të, trajneri Haxhiaj hodhi në fushë ish-futbollistin e Dinamos, Sokol Ishkën, i cili zuri vendin e Andi Lilës. Një minutë më pas, Emiljano Veliaj zuri vendin e kosovarit Liridon Leci, duke hequr kështu dy mbrojtës për dy mesfushorë. Në minutën e 63-të, Sabanovic goditi rrezikshëm duke qenë pranë golit.
Në të 65', dyshja e trajnerëve Haxhiaj-Berati hodhi në fushë sulmuesin Vangjel Mile (zëvendësimi i tretë i Besës) në vend të të fierakut Agim Meto, e duke rreshtuar në vijën e parë dy sulmuesë të mirëfilltë: Fortunat-Mile.
Në të 67', tuniziani Jasin Mikari goditi fort, por Zendeli e devijoi në goditje këndi, duke i hequr mundësinë Grasshopersit për të realizuar golin e dytë, gol që erdhi vetëm dy minuta më pas. Në të 69' erdhi dhe goditja përfundimtare për kavajasit. Grashopers realizoi golin e dytë, po me anë të malaziasit 24-vjecar, Samel Sabanovic, ndërsa Toure pati një tjetër mundësi në minutën e 72-të për të trefishuar rezultatin, por senegelazi ishte në kundërkohë.
17-vjecari Steven Zuber i vuri kapakun paraqitjes së varfër të Besës, duke shënuar golin e tretë në minutën e 86-të. E njëjta humbje si me bullgarët e Liteksit të Lovecit, një vit më parë, po në "Niko Dovana", por për ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës UEFA. Përfundimisht, jashtë nga vazhdimi i mëtejshëm i Kupës Intertoto, por Besa, gjithsesi ia doli të kalojë një tur, duke i lënë radhën Dinamos (në Ligën e Kampioneve), Vllaznisë e Partizanit (të dyja në Kupën UEFA) për të treguar se janë të afta të kalojnë të paktën një tur.
Kupa Intertoto
Turi i dytë, ndeshja e kthimit
BESA-GRASSHOPERS 0-3
Shënues: Sabanovic 55', 69' Zuber 86'
(Rez.i përgjithshëm 1-5, kualifikohet Grashopers)