Besa lë Kupën, Kastrioti fiton lehtë
Kavajasit mendojnë vetëm për kampionatin, gjë që e vërteton fakti se edhe dje paradite kanë bërë stërvitje
Besa Kastrioti 1-3
Shënues: Krasniqi 38 / Inkango 26, Xhihani 79, Turdiu 83
Besa: Guma, Karriqi, E.Hoxha (Kanapari 57) Duro, Gjini (Dushku 12), Krasniqi (Muho 46), Çelhaka, Bllaka, Hylviu, Hasa. Trajner: G. Magani.
Kastrioti: A.Hoxha, Caca, R.Hoxha, Ognjatoviç, Malakarne (Alikaj 61), Xhihani, Sefa (Turdiu 46), Dragoi, Inkango (Xhafa 50), Tepshi, Agolli. Trajner: R.Ndreu.
Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)
Katronë të verdhë: Karriqi, Xhihani
Besa nuk po ecën me ritmin e duhur në kampionat, kështu që në Kupën e Shqipërisë ka zbritur në fushë formalisht. Trajneri Gugash Magani ka hedhur në fushë ndaj Kastriotit një formacion me futbollistë të rinj, pasi mendjen e ka te sfida e fundjavës në kampionat me Burrelin, ndeshje që luhet në transfertë.
Ndeshja me krutanët është zhvilluar në një stadium të boshatisur, ndërkohë që sa i takon lojës, miqtë kanë fituar me lehtësi. Kastrioti, ashtu si një javë më parë, ka fituar lehtësisht edhe në Kavajë, pavarësisht se dy golat e fundit i ka shënuar në fundin e ndeshjes. Krutanët kanë luajtur me formacion të plotë në këtë ndeshje, kurse kavajasit me shumë të rinj. Miqtë nuk e kanë pasur të vështirë të vinin diktatin e tyre në fushë dhe pas 26 minutash kanë shënuar golin e avantazhit me anë të afrikanit Inkango.
Për momentin është krijuar ideja se do të kishim një goleadë të Kastriotit, por Krasniqi barazon shifrat me një gol shumë të bukur për nga mënyra e ekzekutimit. Në barazim 1-1 është mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që në të dytën kanë qenë krutanët që kanë dominuar totalisht. Ata janë hedhur në sulm dhe kanë krijuar raste të njëpasnjëshme shënimi me kavajasin Xhihani,Turdiun dhe Tepshin, por nuk kanë qenë të saktë në finalizim.
Futbollistët e aktivizuar si zëvendësues te Kastrioti i kanë dhënë tjetër ritëm lojës dhe miqtë e kanë parë veten përsëri në avantazh në minutën e 79-të, kur Xhihani ka ndëshkuar skuadrën e qytetit të tij. Vetëm pas 4 minutash Turdiu ka shënuar golin e 3-të dhe të fundit të ndeshjes.
Guido Tepshi ka qenë furnizuesi i sulmit krutan në pjesën e dytë, kur miqtë kanë siguruar fitoren. Kastrioti ka bërë detyrën në këtë 90-minutësh, kurse kavajasit mendjen e kanë pasur te transferta e radhës me Burrelin, ku synojnë të marrin një rezultat pozitiv për të përmirësuar pozitat në tabelën e klasifikimit.
Pas ndeshjes
Gugash Magani, trajner i Besës: Ne kemi halle të tjera momentalisht dhe kupa na shërben thjesht për të testuar kontigjentin e futbollistëve alternativë të organikës sonë. Nuk jam i kënaqur, me përjashtim të 15 minutave të fundit të pjesës së parë, as me lojën dhe as me rezultatin që arritëm në këtë takim. Pavarësisht se nuk kemi pretendime në kompeticionin e kupës, duhet megjithatë të shpalosnim një mënyrë dhe nivel më të mirë loje.
Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: Ne i dhamë seriozitetin e duhur të dyja ndeshjeve ndaj Besës, duke luajtur me pjesën dërrmuese të titullarëve, sepse tani kupa luhet me pikë dhe duke i fituar të dy takimet ndaj Besës, jam i kënaqur. Sigurisht, vetëm fitoret vlejnë për tu kualifikuar. Tani na duhet edhe një sforco tjetër në dy takimet e mbetura. Ne luajtëm më të motivuar edhe për të shlyer atë humbje ndaj Shkumbinit në kampionat.
