E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu kursehet me gola, por një këmbë në turin tjetër

Grupi C

Kastrioti                     9 pikë 9-4

Skënderbeu   9 pikë 6-4

Luftëtari                     6 pikë 6-7

Besa                0 pikë 1-7

 

Korçarët nuk ofendojnë gjirokastritët, tregohen racionalë, shënojnë dy gola dhe shohin për ndeshjen e kampionatit në fundjavë

Skënderbeu – Luftëtari 2-0
Shënues: Muzaka 17′, Xhafaj 55

Skënderbeu: Shehi, Allmuça (Biskup 46), Sulejmanoviç, Vrapi, Arapi (Tahirllari 57), Bratiç, Orelesi, Kërçiku, Shkëmbi (Riberio 63), Muzaka, Xhafaj. Trajner: S. Levi.
Luftëtari: Kazma (Gërxholli 68), Këndella, Lazo, Ramadani, Zholi, Bistri, Lluka (Kalemi 67), Grabova, Pjetrani, Kremezo, Shehaj. Trajner: D. Kristidhi.
Gjyqtarë: O. Sokoli, B. Myftari, E. Potoni
Kartonë të verdhë: Vrapi, Tahirllari, Këndella

Korçarët e kanë marrë me lehtësi edhe tripikëshin e radhës në ndeshjet në grupe për Kupën e Shqipërisë. Luftëtari është ekipi që lehtësisht është mundur nga Skënderbeu. Korçarët kanë luajtur me formacionin e tyre më të mirë, ndërsa kundërshtari me disa mungesa. U pa qartë diferenca, aq sa u luajt vetëm në gjysmëfushën e Luftëtarit, që nuk dhuroi aspak lojë, duke menduar se është edhe ekipi i vendit të parë në kategorinë e parë.

Mund të thuhet se portieri Shehi ka qenë një nga spektatorët e shumtë të kësaj ndeshjeje, pasi jo vetëm nuk pati punë, por edhe ardhja e topave në drejtim të tij ishte shumë minimale për një ndeshje futbolli, ku në të dytën ai ka rënë në kontakt me topin jo më shumë se pesë herë dhe këto topa të kthyer nga mbrojtësit korçarë.

Levi e kishte deklaruar se i interesonte shumë ky tripikësh dhe kështu me nëntë pikë korçarët janë në krye të grupit dhe të paktën i duhet vetëm një tripikësh në dy ndeshje, për të zënë edhe vendin e parë. Luftëtari duket se pas ndeshjes ka kuptuar se sa forcë kishte realisht për ti rezistuar këtij ekipi, pasi kishte euforinë e ndeshjes së kaluar, kur mundi në Gjirokastër të rinjtë e Skënderbeut dhe këtë herë janë të rriturit që marrin hak për atë që janë mundur një javë më parë.

Trajneri Levi ka dashur të shikojë edhe disa futbollistë, duke i vendosur si titullarë që nga minuta e parë, siç ishte Suljmanoviç edhe Kërçiku, por pas ndeshjes ai nuk dha asnjë mendim. Kështu, në këtë ndeshje duhet veçuar fakti se të dy sulmuesit kanë dalë te goli. Me gjithë rastet e shumta, nuk ka gola të tjerë edhe për atë se korçarët janë shumë të prirur për veprime individuale, për të qenë ata shënues të golave të tjerë.

Thanë pas ndeshjes

Stanislav Levi, trajner i Skënderbeut: Më interesonte shumë marrja e tri pikëve nga kjo ndeshje dhe e kemi arritur, por dua të shtoj se ndryshe është të luash një ndeshje në bar sintetik dhe ndryshe në atë natyral. Kanë shënuar sot sulmuesit, por mua më intereson më shumë që ekipi të shënojë dhe këtë shikoj pas një ndeshjes.Dua të them edhe faktin tjetër, se nga kjo ndeshje prisja të shikoja edhe disa futbollistë, por duke pasur një kundërshtar të tillë përballë, ishte e vështirë të nxjerr edhe një konkluzion. Tani po mendojmë për ndeshjen e radhës për të marrë fitore.

Dritan Kristidhi, trajner i portierëve të Luftëtarit: E kishim vlerësuar takimin, por kjo ishte maksimalja që mund të bënim në këtë ndeshje. Ne po mendojmë vetëm për kampionatin për të kaluar në superligë. Kupa ka qenë jashtë çdo objektivi nga ana jonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›