E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet Vajushi edhe në kupë që Vllaznia të përmbysë Dinamon

Nga GJERGJ KOLA

Grupi D

Vllaznia         10 pik렠         12-4

Bylis               10 pik렠         9-3

Elbasani         3 pikë 6-12

Dinamo          0 pikë 4-12

Shkodranët kanë vuajtuar disi në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, me hyrjen e titullarëve, gjithçka zgjidhet në favor të tyre

 

Vllaznia Dinamo  5-2

Shënues: Gjini 27, Vajushi 46, 80, 83, Erkoçeviç 70 / Kulli 13, Misiri 25

Vllaznia: Gjokoviç, Smajli, Gocaj, Sykaj, Belisha, Tafa (Erkoçeviç 46), Nimani (Vajushi 46), Demaj, Hasani, Shaba, Gjini (Markolaj 56). Trajner: R. Vata.

Dinamo: Dauti, Çeliku (Keta 54), Shehu, Luzhi, Misiri, Lala, Sulollari, Moskaj (Bozhanaj 54), Asllani, Kulli, Mjekaj (Naska 86). Trajner: A. Mehmeti.

Gjyqtarë: B. Ziri, E. Veseli, Sh. Ziri (Fushë Krujë)

Kartonë të verdhë: Vajushi, Sulollari

Vllaznia ka arritur një fitore të thellë 5-2 ndaj Dinamos në ndeshjen e djeshme të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Në pamje të parë duket një fitore e lehtë, megjithatë, nuk ka qenë e tillë. Pjesa e parë e ndeshjes është dominuar nga dinamovitët e rinj, ndërkohë që Vllaznia ka treguar shumë dobësi në lojën e saj. Jo më kot ky 45-minutësh është mbyllur me fitoren e Dinamos, 2-1. Në të dytën, aktivizimi i Vajushit në formacionin shkodran i ka dhënë tjetër ngjyrë lojës dhe për rrjedhojë ka ardhur fitorja e thellë, ku protagosnisti kryesor është ai me tre golat e tij.

Në këtë ndeshje, trajneri Vata kishte ndërtuar një formacion miks, me lojtarë titullarë, të tjerë me emër që kanë humbur formacionin dhe me lojtarë të rinj. Ndërkohë, kundërshtari ishte i gjithi me lojtarë të rinj, me përjashtim të veteranit Asllani. Pavarësisht se shkodranët kishin më shumë eksperiencë e kualitet brenda tyre, në pjesën e parë kanë lënë shumë për të dëshiruar.

Janë miqtë ata që shënojnë shpejt që në minutën e 13-të me anë të sulmuesit Jurgen Kulli, që godet bukur me kokë, duke shtangur portierin Gjokoviç. U mendua se ky gol do ishte surprizë, por nuk është kështu, sepse dinamovitët shënojnë edhe një gol të dytë pas një tjetër gabimi të mbrojtjes shkodrane.Trajneri Vata nuk do ta besojë.

Ai ka hedhur në fushë një formacion shumë serioz dhe nuk mund ta pranojë që të mundet nga 18-vjeçarët dinamovitë. Për fat, Gjini shumë shpejt do ngushtonte rezultatin, por sërish nuk ka qetësi në kampin shkodran, sepse loja e zhvilluar nga skuadra e tyre nuk është shumë bindëse. Në të dytën, Vata detyrohet të hedhë në fushën e lojës Vajushin, i cili ndryshon rrjedhën e lojës.

Ai shënon brenda 40 sekondash, duke barazuar rezultati dhe merr para ekipin. Edhe dy të aktivizuarit e tjerë, Erkoçeviç e Markolaj luajnë mirë. Për rrjedhojë, i pari do shënonte golin e avantazhit, ndërsa dy të tjerët do kenë për autor sërish Vajushin, që kësisoj plotëson tripletën e tij. Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 10 pikëve në grup, duke qenë tashmë e sigurt në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë.

Rudi Vata, trajner i Vllaznisë: Ishte një ndeshje me dy panorama. Një pjesë e parë jo e pëlqyeshme nga ana e jonë. Ishte një farë nënvlerësimi kundër një kundërshtari jo më shumë eksperiencë. Pjesa e dytë tregoi një Vllazni dinamike që kishte agresivitet para portës. Shënuam katër gola në pjesën e dytë. Mendoj që jemi në rrugë të mbarë në Kupën e Shqipërisë. Normalisht, jam i kënaqur me gjithë ato të rinj që luajtën.

Edhe sot loja e Demës ishte një lojë e pëlqyeshme. Ka lojtarë që kanë pretendimet e tyre absolute për të qenë pjesë e Vllaznisë. Kjo ndeshje tregoi më së miri kush është në gjendje për tu aktivizuar në ndeshjen e ardhshme. Ne kemi një staf teknik teknik që analizojmë çdo ndeshje dhe paraqitjen e çdo futbollisti.

Të veçanta

- Asnjëra skuadër nuk ka pasur 18 futbollistë të shkruar në protokollin e ndeshjes, Vllaznia kishte 17, ndërsa Dinamo vetëm 15 të tillë.

- Shumë pak tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit, vetëm 200 vetë. Në një moment të ndeshjes, njëri prej tyre nuk ngurroi të thërriste në drejtim të pankinës shkodrane: “Fute Sukajn!” Sigurisht, për humor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›