Butrinti mund edhe Vlorën, shpërthen festa në Sarandë
Butrinti Vlora 1-0
Butrinti: Demi, Xhuvani, Xhibro, Alzeneli, Zharkalliu, Sulejmani, Ngjela (Kordha 88), Muço, Dorti (Nela 75), Papa, Rugji. Trajner: M.Gurma.
Vlora: Hysi, Azizi, Bisha, Ahmeti, Myderozi, Çaushi (Dalipaj 58), Idrizi, Hoxha, Strati, Serjani, Shabani (Cerova 78). Trajner: E. Strati.
Shënues: Zharkalliu 11
Gjyqtarë: L. Alla, D. Korreshi, E. Prifti (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Rugji, Papa, Ngjela, Ahmeti, Azizi, Hoxha
Një tjetër rezultat me fitore në shtëpi për Butrintin, që pas 3 javësh e sheh veten në kuotën e 7 pikëve, një nisje mjaft e mirë për një ekip debutues. Në praninë e rreth 3000 tifozëve, lojtarët e Butrintit e nisin me ritëm ndeshjen dhe në minutën e 11-të kalojnë në epërsi. Një goditje dënimi në mesfushë ekzekutohet nga Sulejmani dhe brenda zonës së Vlorës është Zharkalliu që e shtyn topin në rrjetë. Eshtë pikërisht ky gol që vendos fatin e ndeshjes dhe i jep 3 pikët ekipit sarandiot. Miqtë sigurisht që nuk janë dakord me humbjen dhe reagojnë me anë të Çaushajt dhe sulmuesve të tjerë, duke e goditur portën vendëse, por Demi tregon vlerat e tij dhe e ruan të pa prekur rrjetën. Në fushë ka ndërhyrje të qëllimta nga të dyja palët dhe gjyqtari ndërhyn shpesh, duke dhënë edhe shumë kartonë të verdhë. Ndërkohë, spektakli vjen më shumë nga shkallët e stadiumit, ku tifozët sarandiotë thërrasin në kor emrat e futbollistëve të Butrintit. Pavarësisht përpjekjeve të Vlorës, vendësit arrijnë ta ruajnë me fanatizëm golin e minutës së 11-të dhe në fund i gëzohen fitores së dytë. Sarandiotët vinin në këtë takim me dy mungesa të rëndësisshme, siç ishin ato të Kolës dhe Ezeriohës. I pari është ruajtur nga trajneri Milto Gurma, për shkak të dëmtimi të lehtë, ndërsa Ezerioha vazhdon të jetë i dëmtuar. Në pjesën e dytë vlonjatët kanë bërë aksione të njëpasnjëshme, por që deri në fund të ndeshjes nuk kanë arritur të shënojnë. Për Butrintin kanë rrezikuar me kundërsulme Rugji dhe Ngjela, të mbështetur nga Sulejmani dhe Muço. Kështu, një tjetër sukses dhe në Srandë ka shpërthyer festa, ndërkohë që ekipi i ka kthyer sytë nga Himara, ku do të luhet ndeshja e radhës.